Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Alban Hyseni tregon nëse do të ketë koalicion me parti të tjera për Asamble

Kandidati i zgjedhur për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ende nuk ka filluar të diskutojë për çështjen e koalicioneve për qeverisje por se është i detyruar ta shqyrtojë mundësinë e marrëveshjes me subjekte të tjera politike që, sipas tij, të ketë qeverisje stabile.

“Për garën për kryetar të Komunës nuk bëjmë koalicion, e kemi thënë që nga fillimi, ndërsa për garën për Asamble Komunale kemi thënë që jemi të detyruar që të shqyrtojmë mundësinë e marrëveshjes me subjekte tjera politike për të pasur qeverisje stabile”, tha Hyseni.

Kurse sa i përket mundësisë që asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) t’i bashkohen grupit të LVV-së, Hyseni tha se beson që ata nuk mund ta kenë problem këtë.

Mëgjithatë, ai shton se janë të hapur për bashkëpunim.

“Mënyra e bashkëpunimit tonë dallon nga të tjerët sepse ne nuk i thërrasim duke diskutu për drejtoritë dhe për pazaret por i thërrasim për të diskutuar për parimet e programit. Nëse këtu gjejmë gjuhë të përbashkët besoj të tjerat zgjidhen lehtë”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa për pretendimet se është takuar me Listën Serbe, Hyseni ka thënë nuk ka ndodhur gjë e tillë.

“Parimisht nuk mendoj se është gabim takimi me Listën Serbe por, është gabim me shfrytëzu subjektin për të ndikuar tek elektorati dhe votuesi, besoj që kjo është gabim. Unë nuk jam taku as me PDK-në dhe as me AAK-në e lëre më më Listën Serbe”, shpjegon Hyseni.

LDK ka siguruar 14 vende në Asamblenë Komunale të Gjilanit.

Kurse partia fituese – Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 10 ulëse, kurse PDK 5, AAK 2.

Ndërkaq, AKR, Lista Serbe, Lëvizja Qytetare Vatra dhe KDTP me nga një asamblist.