Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Afrim Blyta flet për mënyrën si po menaxhohet situata me pandeminë dhe konfliktin mes sektorit publik dhe privat

Neuropsikiatri Afrim Blyta ka thënë se sistemi shëndetësor është në këtë gjendje për shkak të politikës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se përkundër sistemit fragjil shëndetësor që ka Kosova në situatën me pandeminë është dhënë një provim në mënyrë të mrekullueshme.

Kjo, sipas Blytës, ishte rezultat i dualizmit publiko-privat që ekziston te ne.

‘Sistemi shëndetësor është gjithmonë cak i goditjeve të vazhdueshme, situata në shëndetësi gjatë gjithë këtyre viteve nuk është shkak i problemit, është pasojë, në rend të parë, e politikës. Nuk mundemi të zgjidhim problemin duke goditur pasojën, por duhet gjetur shkakun. Përkundër që kemi një sistem shumë fragjil shëndetësor, unë mendoj që punëtorët shëndetësor dhe në përgjithësi shëndetësia në Kosovë ka dhënë një provim në mënyrë të mrekullueshme gjatë sistuatës me pandeminë,” ka thënë Blyta.

“Dualizmi publiko-privat që ekziston tek ne dhe nuk është aspak i përkryer ka ndihmuar në tejkalim të situatës, kjo pasi një mjek që ka qenë jashtë orarit të punës dhe ka pasur mundësi të fitojë të ardhura, i ka dhënë shërbim pacientit. Pacienti nuk ka shkuar në sektor publik të presë më ditë për diagnostifikim, por ka gjetur një rrugë tjetër, dhe në këtë situatë, shërbimi privat ka qenë shumë fleksibil,” shtoi tutje Blyta.

Blyta po ashtu foli edhe për mjekët të cilët nuk kryejnë shërbime si duhet në sektorin publik pasi, sipas tij, burimin e mirëqenies e kanë në sektorin privat.

“Në të gjitha institucionet publike, lista e pritjes është e gjatë, kjo për shkak se mjeku punon jo vetëm në QKUK por edhe në një ta zëmë, rezonancë tjetër, këtu pastaj krijojet ai dualizmi apo konflikti që ekziston mes shërbimit publik dhe privat. Pastaj nga kjo situatë kemi referimin nga sistemi publik për ‘mjelje’ në sektorin privat, ose kur gabon në sektorin privat dhe e referon pacientin në shërbimin publik sepse ombrella e QKUK-së është më e madhe, kjo është ajo kriza morale që e karakterzion sistemin shëndetësor,” ka shtuar tytje Blyta.

“Pjesa më e madhe e mjekëve, që këtë sigurisht kolegët nuk do e pëlqejnë kur ta dëgjojnë, është se, sa herë që zgjohen në mëngjes i luten zotit që kjo që po ndodh sot, në sistemin shëndetësor të zgjasë. Kjo sepse mjeku në shërbimin publik nuk e ka burimin e mirëqenies dhe ai energjinë psikike, intelektuale e investon aty ku e ka atë burim, i cili është në atë rezonancë që punon pasdite,” ka thënë Blyta.