Abbott: Këshilli Prokurorial dhe Kryeprokurori i shtetit nuk kanë perceptim pozitiv

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se Këshillit Prokurorial i kishte ofruar ndihmë për rekrutime, por që KPK-ja e kishte refuzuar këtë mundësi.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, shtoi se këtë shërbim e ofroi nga një kompani e pavarur.

“Le të marrim rastin e Kryeprokurorit të Shtetit, unë i kam shkruar kreut të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe i ofrova shërbimet e kompanisë që përdorim për të ndihmuar me rekrutimet meritokratike, sepse më dukej se mund të ndihmonim KPK-në në mënyrë që të mund t’i sjellim më shumë besueshmëri procesit të zgjedhjes së kryprokurorit të ardhshëm dhe ky nuk është një proces në të cilin jam përfshirë unë ose që Ambasada britanike është e përfshirë por bëhet përmes një kompanie të pavarur. KPK e refuzoi këtë mundësi” – tha Abbott.

Abbott thotë se nuk mendon që perceptimi për këtë institucion nuk është pozitiv.

“Tani, përmes këtij veprimi, mendoj se ata humbën një mundësi sepse nuk mendoj se perceptimi i përgjithshëm i këtyre dy institucioneve është një perceptim pozitiv. Mendoj se duhet të ketë transparence shumë më të madhe nga të dyja palët dhe mendoj se duhet të kenë parasysh edhe se ato që mund të kenë qenë praktika të pranueshme në të kaluarën, tani nuk janë më të pranueshme” – thotë ai.

Ai në fund ka thënë se këto institucione të drejtësisë po e përdorin parimin e drejtësisë për t’u fshehur pas tij.

“Kjo është një linjë e lehtë e mbrojtjes së vetvetes që ata mund ta përdorin. Mendoj se ata duhet të jenë shumë më të gatshëm të modernizohen, të bëhen më transparentë dhe të mendojnë realisht se cila është detyra e tyre përfundimtare, e që është që të veprojnë si institucion i pavarur brenda shtetit të Kosovës. Kjo sjellë në vete një sërë detyrash që ndonjëherë duket që po mungojnë” – përfundoi ai.