A u paralajmërua me kohë për rrezikun nga vërshimet në Kosovë?

Vërshimet që nisën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që nga orët e para të 19 janarit 2023 shkaktuan dëme të mëdha në disa komuna të Kosovës.

Hidrologu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Bashkim Kastrati, në emisionin “Kallxo Përnime” thotë se që nga 14 janari e kanë monitoruar situatën dhe e kanë ditur saktë se në cilën ditë dhe në cilat zona do ketë vërshime.

“Nga data 14 janar e kemi monitoruar situatën e përgjithshme dhe e kemi ditur saktë se në cilën ditë do të ketë vërshime dhe cilat zona do t’i përfshijë. Me datën 16 e kemi bërë një njoftim publik me të cilin i kemi informuar institucionet që i bie 48 orë përpara”- thotë Kastrati.

“Komunikimin zyrtar e bëjmë me Agjencinë e Emergjencave dhe më pas ata kontaktojnë komunat dhe ata i ngritin kapacitetet për me u ballafaqu me përmbytjet”- shton ai.

Kastrati thekson se njoftimi i parë i bërë më 16 janar, tri ditë para vërshimeve, ka qenë i thjeshtë dhe i qartë për qytetarët.

“Me 16 janar e kemi bërë njoftimin e parë, mundeni me hy me pa dhe është shumë i thjeshtë dhe i qartë, nuk paraqiten skica e grafikone vetëm se jepet informacioni. Njoftimin e parë e kemi thënë kështu: komuna e Gjakovës, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë dhe natyrisht pjesën veriore”- tha Kastrati.

Ndërkaq, eksperti i ujërave, Avdi Gjonbalaj, thotë se secila komunë duhet të dijë se çka mund të ndodhë në territorin e saj kur ka të reshura.

“Secila komunë duhet të dijë se çka mund të ndodhë në territorin e saj kur ka të reshura, me këtë intensitet, me atë intensitet. Kur është bërë plani i zhvillimit komunal, nuk është dashtë me i shkru vetëm katër rreshta, është dashtë me bo projektimet e veta”- u shpreh Gjonbalaj.

Gjonbalaj tha se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka bërë ndonjë plan për mbrojtjen nga përmbytjet.

“Ende sot e kësaj dite, shkoni pyetni se a ka bërë Ministria e Mjedisit plan për mbrojtjen nga përmbytjet, edhe të Bali Muharremaj, nuk keni me gjetë tek asnjë komunë as asgjë”- ka thënë mes tjerash eksperti i ujërave.

Guxim Rrudhani, eksperti i gjeomekanikës nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, shpjegon se para çdo planifikimi të ndërtimeve merren të gjithë faktorët më negativë të mundshëm.

“Para çdo planifikimi, merren të gjithë faktorët më negativë të mundshëm që mund të rrezikojnë stabilitetin e asaj strukture. Për rregullimin e shtratit të lumenjve që u diskutua deri tash, ne nuk jemi në luftë me natyrën dhe duhet të llogariten gjithmonë prurjet maksimale dhe shpejtësia e ujit”- tregon Rrudhani.

Ai thotë se nuk ka pasur ndonjëherë konsultime të kryetarëve komunalë me Fakultetin e Ndërtimtarisë, vetëm në raste individuale.

“Deri tash, vetëm në raste individuale në qoftë se një udhëheqës i një komune e njeh ndokënd prej profesorëve dhe e sheh të rrugës të konsultohet, mirëpo në vija institucionale jo“- tha ai.