A po vërehet ndikimi rus dhe ai kinez në Kosovë?

Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u po diskutohet për dezinformimin, ka folur edhe për ndikimin nga Rusia apo Kina.

Gërguri ka thënë se në Kosovë vërehet ndikimi rus dhe ai kinez.

“Në shembullin e Kosovës ne shohim që nëpërmes kanaleve të ndryshme vihet në pah ndikimi rus. Por nëse flasim për ndikimin e Kinës vërejmë se ka dallim në kuptim të përmbajtjes dhe në atë të targetit. Propaganda ruse ka krijuar narrativën e saj me dekada që nga lufta e fundit, në situata të caktuara këtë e riaktualizon, e vërejmë gjithashtu se e njëjta dezinformatë përkthehet edhe në disa gjuhë të ndryshme, p.sh. rasti i gruas në Pejë” – ka thënë Gërguri.

Sipas tij, motivi i këtyre propagandave, dezinformatave, është ta paraqesin  Kosovën si shtet jofunksional.

Ndërsa Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se fushatë ka edhe kundër anëtarësimit në BE e NATO.

Kjo, sipas tij, vjen për shkak të pakënaqësisë ndaj këtyre dy akterëve.

“Nisim me pa trendin që për shkak të informatës së rrejshme nis fajësimi ndaj EU-së që s’jemi pjesë e saj e jo pakënaqësi ndaj nesh për shkak se nuk i përmbushim standardet. Ose ndaj NATO-s nga ana e komunitetit serb që e shfaqin si organizatë kriminale që kanë kry krime kundër popullatës serbe e jo siç është realiteti” – ka thënë Gashi.