Muhamedali Kodra

Muhamedali Kodra - Foto: KALLXO.com

A po shkojnë barnat te pacientët?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth milionave të ndara nga shteti për barnat e listës esenciale.

60 milionë euro janë ndarë nga buxheti i Kosovës për barnat e listës esenciale.

Muhamedali Kodra nga Shoqata për mbrojtjen e pacientëve ka thënë se si shoqatë nuk e kanë të qartë se sa do të mbërrijnë te pacienti.

“Në qeverinë e kaluar kemi bërë kërkesë me monitoru lëvizjen e barnave nga depoja e spitalit deri te pacienti, nuk na është lejuar. E kësaj qeveri ende nuk i kemi kërkuar monitorim” – tha Kodra.

Kodra ka shtuar se pacientët janë duke blerë barna vetë.

Driton Vela, kryesues i komitetit për revidimin e listës së produkteve mjekësore, ka thënë se janë 20 kërkesa individuale për barna.

“Ato do të shpërndahen, vetëm kemi pritur derisa është reviduar lista e barnave, disa janë pranuar disa jo” – thotë Vela.

Muhamedali Kodra ka thënë se brengosëse për ta vazhdon të jetë fakti që një shumë e madhe e mjeteve financiare ndahen për citostatikë dhe imunoterapi.

“Kur qytetarin e obligon me dalë me ble shiring e fashë. Barnat e shtrenjta për pak pacientë është e diskutueshme se cilat me u përdorë. Kosova s’ka kapacitet me i mbulu të gjitha, ne si pacientë dojmë me i marrë të gjitha shërbimet. Nëse e kemi dilemën tash ta mbrojmë një pacient që kushton 100 mijë euro apo t’i mbrojmë 100 pacientë që kushtojnë 1 mijë euro” – tha Kodra.

Dje në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se janë ndarë 60 milionë euro për listën e barnave esenciale për vitin 2023.