Foto: BQK

A mund të blihen deputetët e Kuvendit të Kosovës?

Si pjesë e hulumtimit për ndikimin e partive politike në Bankën Qendrore të Kosovës, Kallxo.com ka dërguar pyetje në BQK më 21 mars lidhur me punësimet e të afërmve të politikanëve të tri partive: Listës Guxo, LDK-së dhe PDK-së.

Mes tjerash KALLXO.com dhe kishte ftuar Bashkim Nurbojën, kryetarin e bordit të BQK-së të adresojë çështjen e punësimeve nepotike dhe politike në emisionin “Kallxo Përnime”.

Nurboja kishte thënë se do vinte në emision pasi të përzgjidhet guvernatori i ri.

Në pyetjet e dërguara ishte përgjigjur Bujar Meka, sekretar i BQK-së.

“Sa i përket çështjeve të punësimit, ju informojmë se sipas nenit 37, paragrafi 4, dhe nenit 52 të Ligjit nr.03/L-209 për BQK, punësimi i anëtarëve të personelit të BQK-së është në kompetencën e Guvernatorit” – tha Meka më 21 mars.

“Pas pranimit të informacioneve në lidhje me punësimet e fundit të ndodhura, është thirrur mbledhja e Bordit për tu informuar rreth kësaj çështje, mirëpo e njëjta nuk ka mundur të mbahet për shkak se Guvernatori nuk ka qene prezent në atë mbledhje. Megjithatë, anëtarët joekzekutiv të Bordit, kanë kërkuar nga Komiteti i Auditimit, që në bashkëpunim me Auditimin e Brendshëm të marrin veprimet e nevojshme për të vlerësuar meritokracinë në lidhje me punësimet në fjalë. Aktualisht, çështja në fjalë është në proces të vlerësimit nga organet si më lartë” – shtoi Meka për KALLXO.com.

Dyshimet janë që punësimet e muajve të fundit po bëhen për të “blerë” postin e guvernatorit, i cili mund të ndikohet duke i punësuar deputetëve të Kosovës dhe anëtarëve të partive anëtarët e familjeve të tyre në BQK, gjë që është praktikë e shumë punësimeve të raportuara lidhur me BQK-në ndër vite.

Kallxo.com ka shtruar pyetje lidhur me informatat se pikërisht deputetë të Kosovës në këtë mandat dhe të mandateve tjera që janë duke i punësuar të afërmit e tyre në BQK pikërisht muajt e fundit si pjesë e fushatës për të ndikuar përzgjedhjen e guvernatorit të ri.

Kur u pyetën lidhur me këtë ndikim deputetët që morën pjesë në këtë debat ata u deklaruan se nuk do të pranonin të ‘bliheshin’.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, njëherazi anëtar i Komisionit për financa dhe transfere, Visar Korenica, në emisionin ‘Kallxo Përnime’, ka thënë se në asnjë rast nuk do të jetë i ndikuar.

“Po garantoj vetëm për vete (që s’do të mund të blihem) sepse sot nuk mund të garantosh as për vëllanë e lëre më për dikë që s’e ke të gjakut. (Garantoj) për detyrën time si deputet, për ushtrimin e funksionit që e kam në këtë Komision dhe vendimmarrja që më takon mua si deputet, nuk ka ndodhur as s’ka me ndodhë me qenë i ndikuar për ndonjë pozitë apo favor të caktuar” – ka shtuar ai.

Në punën e tij dyvjeçare si deputet Korenica ka pasur debate përmbajtjesore që kërkonin llogari nga bordi dhe guvernatori i kaluar. Mu për këtë u pyet se a do të bëjë të njëjtën me bordin që e ka zgjedhur Vetëvendosja të cilës ai i takon.

Korenica tha se do të jetë i vendosur që nga anëtaret e bordit të BQK-së të kërkojë llogari, njëjtë siç ka bërë edhe në të kaluarën, madje edhe më shumë për shkak se ndërrimet nuk janë bërë për të vazhduar praktika të njëjta si më parë.

Ferat Shala, deputet i PDK-së, ka thënë se ky subjekt politik nuk e ka parë asnjëherë BQK-në si vend për punësime.