A fokusohet strategjia e re edhe në radikalizmin etnik?

Shumë kosovarë u janë bashkuar luftërave në Siri e Irak. Disa prej tyre janë kthyer në Kosovë e disa të tjerë janë shpallur të vdekur nga familjarët e tyre pas informatave që kishin marrë përmes kanaleve jozyrtare.

Në anën tjetër Kosova ka hartuar dy strategji ndërsa është ende duke punuar në strategjinë e re, e cila ka mbetur vetëm draft dhe është formuar grupi punues në të.

Departamenti i Shtetit ka theksuar se Kosova është duke e luftuar këtë fenomen, pra të ekstremizmit dhe terrorizmit, por kanë gjetur se institucionet në Kosovë nuk kanë punuar të gjithë njëlloj dhe nuk ka pasur mjete financiare për të trajtuar këtë fenomen.

Në debatin e sotëm në emisionin “Kallxo Përnime” po trajtohet çështja nëse strategjia e re do të trajtojë llojet e ndryshme të ekstremizmit, përfshirë edhe atë etnik.

Ferdinand Nikolla, këshilltar i ministrit të Brendshëm, i cili do ta udhëheqë strategjinë e re tregon se ajo parasheh të gjitha aktivitetet për pesë vitet e ardhshme dhe të gjitha llojet e ekstremizmit.

“Strategjia e re por edhe ajo e kaluar merret me të gjitha llojet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit. Edhe kjo e reja do të ketë atë  target” , thotë Ferdinand Nikolla në “Kallxo Përnime”.

Në anën tjetër kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, përmend se në Kosovë janë arrestuar edhe persona që kanë tentuar të kryejnë akte terroriste e që janë të nacionalitetit serb.

“Kemi njerëz të arrestuar në Prishtinë që kanë tentu me kry sulme terroriste të cilët janë të nacionalitetit serb pra nuk është që nuk janë marrë me këtë çështje. Nuk e dimë se sa serbë kanë shku në Ukrainë për momentin po besoj që institucionet e sigurisë e dinë dhe në momentin që ata paraqiten në kufijtë ata kanë me u arrestu. Ne kemi një ligj i cili thotë që çdokush që merr pjesë në një luftë të huaj ka me u dënu”, thotë Gashi.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se fokusi i strategjive të kaluara ka qenë vetëm te ekstremizmi islam.

“Strategjitë e kaluara mund të them se kanë qenë në disproporcion të madh të fokusuar në ekstremizëm islam në raport me format tjera të ekstremizmit, mund të them se kalimthi munden me iu referu pak por fokusi ka qenë pothuajse 99 për qind te ekstremizmi islam, sidomos kjo  e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm ka qenë 100 për qind e fokusuar vetëm në ekstremizëm islam”, thotë Vrajolli.

Ai tregon disa shembuj edhe se çka ndjekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Strategjia për Ekstremizëm të Dhunshëm dhe strategjia për terrorizëm duhet të përmbajë edhe elemente të trendeve globale, megjithatë duhet të jetë për nevoja vendore dhe duhet të identifikojë të gjitha problemet të cilat janë, p.sh. ShBA si grupe terroriste i kanë edhe grupet me aktivitet ekologjik të cilët shkaktojnë dëme kompanive që prenë pyje apo gjëra të ngjashme”, thotë Tutje Vrajolli.

Ferdinand Nikolla nga MPB tregon për propagandën e organizatës së shpallur terroriste ISIS.

“Kauza e organizatës terroriste të ISIS ka qenë e rrejshme dhe propaganduese se bota islame është në rrezik, kauza në fondament ka qenë një gënjeshtër dhe disa kanë ra pre dhe për atë është përdor kaq shumë çështja e religjionit”, tha Nikolla.

Ai shton se strategjia është brenda kornizës së përcaktuar me Ligjin i cili dënon cilindo kosovar që merr pjesë në ndonjë luftë të huaj për çfarëdo kauze.

“Nesër mundet me dalë një grup terrorist tjetër dhe të bëjë thirrje që ortodoksët apo të krishterët janë në rrezik dhe probabiliteti që disa me iu bashkëngjit kësaj thirrje është shumë e lartë, nga komuniteti të cilin ata thërrasin. Strategjia jonë, ligji që i ndalon qytetarët e Kosovës me iu bashkëngjit luftërave të huaja kaq përcakton, nuk definon me çfarë motive, me çfarë ngjyrime apo me çfarë prapavije”, vazhdon Nikolla.

Vrajolli theksoi edhe se institucionet në Kosovë nuk janë marrë me format e tjera të ekstremizmit të dhunshëm.

“Ekstremizmi i dhunshëm është në Kosovë po arsye pse ka qenë e mbifokusuar është se trendet globale kanë qenë të fokusuara në këtë fushë dhe shumica e shteteve që kemi bashkëpunu kanë qenë pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit dhe aktivitetet tona kanë qenë të koordinuara me to”, shpjegon Vrajolli.

Ai shtoi se në Kosovë ka shumë ekstremizëm me bazë etnike, ndërsa theksoi se kjo është e theksuar edhe te komuniteti serb.

“Ke pasur bomba të shumta në pjesën veriore, djegie të veturave kërcënime të serbëve që kanë dashtë me u riintegru në institucione të Kosovës dhe kjo temë duhet të trajtohet ngjashëm sikurse është trajtu ekstremizmi i dhunshëm që këto ekstremizma të ulen”, tregon tutje Vrajolli.

Fadil Kajtazi thotë se ka pasur akte terroriste që kanë ndodhur në pjesën e veriut të Kosovës.

“Ka pasur akte kur është vra doganieri lituanez, ka pasur manifestim të organizatave terroriste, të cilët kanë kërcënuar sigurinë dhe asnjëherë organet e sigurisë organet e drejtësisë, nuk i janë referuar këtyre akteve me terma adekuat si akte terroriste, kjo ka qenë brengosëse”, tha Kajtazi.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tregon pse të rinjtë në Kosovë janë lehtë të radikalizuar dhe me çka ballafaqohen ata.

“Ne fokusin duhemi me pasë te ajo se sa e kemi shoqërinë të butë për me u thy prej grupeve radikalizuese dhe mendoj se kemi probleme ende sepse është një ambient i lehtë në Kosovë për me radikalizu njerëz. Mungesa e mendimit kritik në shkolla, mungesa e edukimit pra të rinjtë tanë nuk mësojnë me marrë në mënyrë kritike informacionit dhe mos me i besu secilit burgim të informacionit të cilin e marrin”, tregon Gashi.

Ai tha se ka mungesa të shumta që mund të jenë shtysë që të rinjtë në Kosovë të jenë ende lehtë të radikalizuar për forma të ndryshme të ekstremizmit.

Kosova ka kthyer më shumë se 100 persona nga zonat e konfliktit në tre vitet e fundit.

Burrat, gratë e fëmijët e rikthyer disa nga ta pa asnjërin prind, janë duke u përballur me procesin e riintegrimit duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteve të cilat po aplikohen nga institucione të ndryshme në Kosovë.

KALLXO.com në disa hulumtime dhe emisione të transmetuara vitet e fundit ka treguar mungesën e kapaciteteve në nivelin lokal por edhe atë të nivelit qendror për të riintegruar të rikthyerit nga zonat e konfliktit.