A do të jetë mekanizmi i duhur Byroja për konfiskimin e pasurisë?
Në debatin për pasurinë e politikanëve në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet edhe se a do të jetë mekanizëm i duhur për të përmirësuar gjendjen në Kosovës Byroja për konfiskimin e pasurisë.
Lyra Çela nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se kjo byro do të jetë një instrument komplementar në sistemin ekzistues ligjor për konfiskimin përmes një procedure civile të pasurisë të pajustifikueshme.
Kjo sipas saj ka ardhur si rrjedhojë e asaj që mekanizmat e tanishëm nuk kanë dhënë rezultate të dëshiruara.
“Duke e parë që mekanizmat nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, atëherë është vendosur që të krijohet një mekanizëm tjetër, një instrument që patjetër si i vetëm nuk mund të bëjë magji e të japë zgjidhje për secilën situatë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ky ligj do të mundësojë që të konfiskohet pasuria e pajustifikueshme.
“Përmes këtij ligji konfiskohet pasuri e cila nuk justifikohet, pra nuk po flasim për pasuri të paligjshme sepse ashtu do të mund të quhej vetëm me vendim penal të formës së prerë”, tha Çela, e cila mendon se një person që ka ushtruar autoritet publik do duhej të ishte në gjendje të justifikonte pasurinë e tij.
“Pra, nëse ajo pasuri është fituar në mënyrë ligjore atëherë pse do të duhej të ishte shqetësim që të justifikohet”, shtoi Çela.
Në anën tjetër, sipas Labinot Leposhtica nga KALLXO.com, i cili është jurist dhe mbikëqyrës i monitorimit të gjykatave, Kosova ka dy mekanizma që ndihmojnë në konfiskimin e pasurisë: Ligjin mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe Kodi i Procedurës Penale,
Mirëpo, sipas tij, këto mekanizma nuk kanë ndihmuar në konfiskim të pasurisë.
“Deri më tani pothuajse në tërësi ka dështuar si proces konfiskimi i pasurisë”, ka shtuar ai.
Leposhtica ka thënë se këtij Projektligji nuk do të duhej t’i frikësohej askush.
Ai ka shpjeguar se ky ligj kompetencat ia jep Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që sipas Leposhticës, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të korrupsionit.
“Sipas projektligjit është paraparë që kompetent të jetë Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. […] Ky Departament është mekanizëm relativisht i ri, […] nuk më vjen ndërmend ndonjë rast i korrupsionit në këtë Departament”, ka thënë ai.
Mirëpo, avokati Faton Fetahu këtë Projektligj nuk e sheh si kushtetues.
“Ky Projektligj si i tillë është jokushtetues […]. Ky Projektligj nuk do të kalojë testin e kushtetutshmërisë”, ka thënë ai.
Fetahu po ashtu ka thënë se ky Projektligj prek kushtimisht në mënyrë brutale të drejtat dhe liritë e garantuara të qytetarëve të Kosovës në mbrojtje të pronës të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës.
Për këtë Fetahut i është kundërpërgjigjur Çela.
Ajo e ka cilësuar si interesant mendimin e Fetahut.
“Është interesante të quash shkelje brutale të të drejtave të njëriut, duke e ditur që ky Projektligj është hartu nga një grup i gjerë punues me përbërje të të gjithë akterëve me interes përfshirë edhe zyrën e BE-së”, tha ajo.
Tutje edhe Leposhtica ka thënë se nuk është e drejtë që qytetarëve të Kosovës t’iu parashtrohet ky ligj si “gogol” legjislativ që do t’ia gllabërojë pasurinë qytetarëve e që do t’ia cenojë të drejtën kushtetuese në pronë.