Teniste e karateiste në zë, nxënëset prishtinase bëjnë historinë në sport

Blearta Ukëhaxhaj dhe Ariana Gashi janë dy nxënëse nga kryeqyteti që po sfidojnë veten për të arritur sukseset e vajzave sportiste të Kosovës. 

Të inspiruara nga sukseset në sport të kampioneve Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova, dy të rejat nga Prishtina po shtrojnë rrugë të suksesit në sport duke inspiruar edhe gjenerata të rinjsh pas tyre.

Dy nxënëset e gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë tashmë kanë korrur sukseset e para në karate dhe tenis.

Blearta Ukëhaxhaj ndjek pasionin e babait, i cili ishte një tenist. Maturantja sot ka vizion të zhvillojë karrierë në këtë sport.

”Në moshën 7 vjeçare kam fillu me u marrë profesionalisht me këtë sport edhe e zhvilloj tash e 10 vite”, thotë ajo.

Blearta është maturante dhe ndjek mësimet në klasën 12/3, por synimet e karrierës për të janë të qarta.

Tashmë, pasioni i saj është shndërruar në një profesion, të cilin ajo e ushtron çdo ditë.

Ajo ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike për të rinj që janë mbajtur në Gyor të Hungarisë.

Gjithashtu, ajo na përfaqësoi në Kampionatin Botëror të Tenisit në vitin 2018 në Tunizi dhe më 2019 në Finlandë, ku mori vendin e tretë.

”Kam qenë pjesë e gjeneratës së parë që e kemi përfaqësu Kosovën jashtë vendit. Duke marrë parasysh se në Kosovë kam qenë tenistja më e mirë edhe në grupmoshat e mia mirëpo edhe në grupmoshat më të mëdha, kam pasë mundësinë që me përfaqësu Kosovën në shumë gara jashtë vendit”, tregon Blearta.

Përveç rekordeve në lojë, nxënësja nga Prishtina ka thyer edhe disa stereotipe duke arritur të bëhet vajza e parë në Kosovë refere dhe trajnere e tenisit.

Blearta punon si refere në tenis në lojërat që organizohen nga Federata e Tenisit të Kosovës.

Ndërkaq, për të përcjellë aftësitë dhe njohuritë që ka fituar, ajo punon si trajnere për gjenerata të reja të këtij sporti.

Rëndësinë e sportit në aspektin shëndetësor dhe social, tenistja e sheh si shumë të theksuar dhe ka një mesazh për të rinjtë që mendojnë të futen në këtë fushë.

” I kisha ftu të gjithë të rinjtë, mirëpo jo vetëm të rinjtë por të gjitha moshat, që të merren me sport sepse ka benifite jo vetëm shëndetësore, mirëpo edhe krijon shoqëri të re, një shoqëri të shëndoshë edhe një mundësi që përmes sportit  me vizitu vende të ndryshme edhe me njoftë popuj dhe kultura të ndryshme”, shprehet Blearta.

Blearta nuk e ka ndalur stërvitjen as tash kur pandemia e coronavirusit ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive.

Ajo po ushtron çdo ditë në kushte shtëpie dhe inkurajon të tjerët ta bëjnë të njëjtën.

Federata e Tenisit e Kosovës është formuar, në Pejë, në tetorin e vitit 1996.

Federata prej janarit 2016 eshte anëtare e Asosiacionit Europian të Tenisit (ETA) dhe e atij botëror (ITF).

Historia e tenisit në Kosovë i ka rrënjët pas Luftës së Parë Botërore. Atëbotë, britanikët, të cilët e eksploatonin minierën e Trepçës, ndërtuan terrenin e parë të tenisit në Kosovë. 

Ky terren ekziston edhe sot si dëshmi e kohës, por është i mbuluar me baltë dhe me bar. Ndërsa, kosovarët për herë të parë filluan të luajnë tenis në Prishtinë.  Më vonë filluan të formohen klube të tenisit, si në Pejë, Prishtinë, Prizren etj.

Karakteristikë për këtë sport është se loja më e gjatë në histori të tenisit ishte ajo ndërmjet John Isner dhe Nicolas Mahmut, e cila zgjati 11 orë e 5 minuta në vitin 2010 në Wimbledon.

Nxënësja prishtinase, kampione e shumëfishtë në karate

Një vit më e re se Blearta, në klasën 11/2 ndjek mësimet Ariana Gashi. 

Ajo ka tetë vite që merret me sportin e karatesë të cilin thotë se e pëlqen shumë.

”Me sportin e karatesë merrem qe 8 vite dhe arsyeja që kam zgjedhur këtë sport është sepse më pëlqejnë më shumë sportet luftarake”, thotë ajo.

Nëpër këto vite, Ariana ka disa momente të shënuara suksesi që përfshijnë vendin e tretë në Kampionatin Botëror në vitin 2014.

Ajo ka qenë 2 herë vendi i pestë në Kampionatin Ballkanik, top 20-she në Ligën e të Rinjve dhe 6 herë kampione e Kosovës.

Sportet luftarake janë të popullarizuara në Kosovë, aq sa xhudo ishte diciplina që i ka sjellë Kosovës medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike.

Majlinda Kelmendi dhe ekipi i trajnerit Driton Kuka, që kanë sjellë dhjetëra medalje në sportin e xhudos, kanë shtrirë ndikimin dhe inspirimin edhe për vajza të tjera në sportet luftarake.

Karateistja nga Prishtina thotë se ka kuptuar se sporti të cilin ajo ushtron, ndikon pozitivisht në shëndetin e saj si dhe formimin e një shpirti luftarak e personaliteti të fuqishëm.

”Nuk ka rëndësi se çfarë sporti është, qoftë karate apo ndonjë sport tjetër, rëndësi ka të merrni pjesë në aktivitete sportive, sepse sporti ndikon në shëndetin tuaj”, thotë ajo.

Sipas Federatës së Karatesë së Kosovës, janë gjithsej 30 klube të karatesë. 

Federata e Karatesë e Kosovës është anëtarësuar edhe në Federatën Europiane të Karatesë.

Karateistët e Kosovës kanë fituar nëntë medalje, tri prej tyre të arta në kuadër të Kupës Botëore dhe Ligës së Rinjve që ishte mbajtur në Umag të Kroacisë gjatë datave 4-7 korrik të vitit 2019.

Karateja është shkathtësi luftarake me prejardhje nga Okinava, Japoni. 

Në përkthim të drejtpërdrejtë nga japonishtja në gjuhën shqipe, KARA do të thotë bosh, e zbrazët, TE – dora, DO – rrugë, që do të thotë se ajo paraqet rrugën, mënyrën e mbrojtjes nga kundërshtari me duar bosh.

 

Autorja Rizonë Mustafa është nxënëse e klasës XI/6 nga gjimnazi “Eqrem Çabej”, në Prishtinë. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.