Ilustrimi: Wall Paper Flare

Të mësosh punën ekipore përmes basketbollit

Një prej gjërave që i pëlqen më së shumti në basketboll është puna ekipore që ua mëson të rinjve ky sport.

Kështu ka thënë Krenar Dakaj, 15-vjeçari i talentuar i shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, i cili është lojtar i klubit junior të basketbollit “Golden Eagle Ylli”.

Nxënësi i klasës së dhjetë, përveç mësimeve, një pjesë të madhe të ditës ia kushton edhe stërvitjeve në basketboll. 

Edhe pse ende i ri, ai gjysmën e jetës ia ka kushtuar basketbollit. Sportisti i talentuar i Prizrenit stërvitet çdo ditë për të arritur në të ardhmen të jetë një basketbollist me emër.

Gjimnazisti prizrenas iu bën thirrje të rinjve që iu pëlqen sporti që të merren me basketboll.

“Për ata që kanë dëshirë me u marrë me basketboll kisha dashtë me thanë që është sport jashtëzakonisht i mirë, për mos të thënë më i miri, dhe ka shumë gjëra që mund të mësosh prej tij”, është shprehur ai. 

Madje ai ka thënë se edhe nëse nuk do të merrej me basketboll, ai gjithsesi do bënte diçka që lidhet me sportin.

“Nëse nuk do merresha me basketboll, do të merresha me fitnes ose ushtrime gjimnastikore”, ka përfunduar Dakaj.

Autorja Sevdie Kastrati është nxënëse e gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.