Foto: REL

Si trajtohen rastet e bullizmit në gjimnazin “Dr.Shaban Hashani” në Ferizaj?

Bullizmi në shkollë i referohet gjithë llojeve të bullizmit që ndodhin në ambientet e shkollës; ndërmjet moshatarëve, nga më të rriturit tek më të vegjëlit, nga apo kundrejt mësuesve.

Një person përfshihet në bullizëm kur ekspozohet vazhdimisht dhe për një periudhë kohe ndaj veprimeve negative, nga/ndaj një apo më shumë personave.

Bullizmi shfaqet në disa mënyra, si fizik, verbal, elektronik, i maskuar dhe përjashtimi, i cili ndodh kur “të fortët” nxisin shokët apo moshatarët e viktimës që ta përjashtojnë viktimën gjatë një loje apo aktiviteti të organizuar.

Në gjimnazin “Dr.Shaban Hashani” në Ferizaj janë raportuar tri raste të bullizmit. Drejtoresha e gjimnazit, Hajrie Nebihu, ka treguar se fillimisht këto raste nisën të hetohen nga kujdestarët e klasave.

Ajo tha se bashkë me nxënësin/nxënësen dhe psikologun e shkollës i kanë trajtuar këto raste duke marrë masa në bazë të ligjeve në fuqi dhe rregullave të shkollës. Një ndër hapat që është ndërmarrë është edhe njoftimi i prindërve.

Drejtoresha Nebihu ka sugjeruar që prindërit të merren më shumë me fëmijët e tyre duke e konsideruar komunikimin si bazë të fortë. 

“Masa kryesore ishte njoftimi i prindërve. Baza më e fortë është komunikimi me fëmijët, duke i shprehur shqetësimet e tyre pa frikën e ndëshkimit dhe të këshillohen në mënyrë të ëmbël”, ka theksuar Nebihu. 

Psikologu i gjimnazit “Dr.Shaban Hashani”, Fitim Jashari, ka treguar se bullizmi është një formë e presionit psiqik, emocional dhe fizik ndaj një personi që është fragjil dhe i cili nuk ka mundësi të vetëmbrohet, apo i cili ka vetëbsim të ulët.

“Kjo dukuri shfaqet më shumë në moshën e adoleshencës”, ka thënë Jashari.

Psikologu Jashari tha se fëmijët perjetojnë ndjenja të rënda të poshtërimit, presionin fizik, ndjehen të refuzuar dhe të padashur në rrethin shoqëror. Ai tha se kjo ndjenjë kalohet me ndihmën e trajtimit psikologjik në shkollë apo institucione të tjera vendore. 

Ai tregoi se janë raste të shpeshta ato kur vetë nxënësit marrin iniciativën të shkojnë tek psikologu dhe raste më të rralla janë kur prindërit ankohen për fëmijët e tyre. 

Ndër këshillat kryesore të psikologut ndihma ndaj nxënësve të bullizuar për rritjen e vetëvlerësimit dhe mësimi i teknikave për ballafaqim me bullizuesit.

Kosova llogaritet t’i ketë 1 mijë e 58 institucione arsimore publike. Por, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) janë vetëm 57 psikologë të punësuar në tërë shkollat e Kosovës. KALLXO.com në muajin maj kishte publikuar të dhëna ku tregohej se vetëm 50 pedagogë shërbejnë në institucionet shkollore. Të dhënat po ashtu flasin se në disa komuna një psikolog mbulon disa shkolla.

Në anën tjetër, zëvëndësministri i arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar se MASHTI do të shtojë në këto institucione edhe 400 psikologë e pedagogë. Por, sipas tij, kjo pritet të bëhet në katër vitet e ardhshme të qeverisjes aktuale. 

Protokolli për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-universitar i miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2013, obligon drejtorët e institucioneve parauniversitare që t’i regjistrojnë rastet e paraqitura të dhunës në shkolla dhe më pas t’i përcjellin ato te Drejtoria Komunale e Arsimit. 

Autorja Elsa Fejza është nxënëse e gjimnazit “Dr.Shaban Hashani” në Ferizaj.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.