Shëndeti mendor i nxënësve përgjatë sfidave me mësimin online

Jo çdo shkollë në Kosovë ka një psikolog ku të kenë mundësi të shprehin mundimet e tyre të përditshme dhe që do  të ndihmonte shkollën në funksionimin e përditshëm edhe në suaza të kurrikulës.

Përpos nevojës elementare që çdo shkollë të ketë psikolog edhe në kushte normale, nevoja për psikolog veçse është thelluar gjatë pandemisë.

Shkolla “Remzi Ademaj” në Prizren në fillim të pandemisë është bërë me një psikologe e cila në një intervistë për KallxoRinia ka treguar për sfidat e nxënësve për t’u ambientuar me një realitet të ri, shkollim në format të ri e qasje të re në arsimim dhe problemet me të cilat ndeshen adoleshentët.

Psikologia Teuta Cacaj Sadiku ka shprehur keqardhjen për shëndetin mendor të nxënësve gjatë pandemisë, për shkakun se janë përballur me probleme të një realiteti të ri. Ajo thotë se gjatë takimeve me nxënësit ka vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre dhe vështirësi menaxhimin e kësaj situate.

“Gjatë takimeve kam parë që mësimi online nuk ka qenë shumë frytdhënës. Përpos sfidës së parë që ka qenë diçka e re për ta dhe e papërballueshme në aspektin e menaxhimit të kohës dhe në aspektin e menaxhimit të teknologjisë. Çka do t’i kisha rekomanduar këtyre fëmijëve është që të mos merren me faktin që ke diçka e re dhe nuk mundem ta përballojmë” thotë psikologia.

 

 

 Sipas saj, kjo situatë ka ndikuar direkt dhe indirekt në psikologjinë e nxënësve dhe problemet me qasje në formate individuale e kanë rrritur nivelin e problemeve tek ta.

“Ka qenë sfidë se ka qenë gjendje e re për ne si sfidë teknike si rrjeti nuk ka funksionuar apo qasja në Zoom nuk ka qenë e mirë, kështu që me të vërtetë ka pasur sfida shumë të mëdha. Mirëpo edhe për këtë pjesë kemi mbajt takime të vazhdueshme. Kemi mbajtur seanca këshillimi të vazhdueshme dhe programe vetëdijesimi që të mundohemi të ngrisim vetëdijen” thotë ajo.

Sidoqoftë, Cacaj Sadiku thotë se për të zbutur këtë gjendje ka mbajtur takime individuale në të gjitha klasat dhe orë vëzhgese gjatë takimit kur ata kanë pasur ndonjë lëndë mesimore duke tentuar të shtoj nivelin e besimit, vetëbesimit dhe interesimit.

Përveç kësaj, psikologia ka shpalosur përgjegjësitë dhe detyrat e tjera që i ka ndaj nxënësve në përgjithësi e në veçanti atyre që kanë probleme në familje, që konsumojnë duhan apo drogë, fëmijët që janë pre e bullizimit dhe ngacmimeve seksuale, kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta.

“Ndër problemet tyre kryesore janë frika rreth fillimit të vitit të ri shkollor, menaxhimi i keq i kohës nga fëmijët, dështimet në rezultate akademike, trishtimi rreth krizave në familje mund të jetë njëra prej problematikave të radhës pastaj ndjesia depresionit tek fëmija  sidomos në moshën e adoleshencës” thotë ajo.

Përpos këtyre ajo theksoi edhe çështjen e depresionit tek nxënësit, mungesën  e disiplinës, mendimi i vetëvrasjes, mungesa e aftësive për të studiuar, shqetësime rreth seksualitetit të tyre, braktisja e shkollës, vetëvlerësimi i ulët rreth aftësive personale apo edhe probleme në marrëdhënieme bashkëmoshatarët.

Kurse për trajtimin e nxënëseve me nevoja të veçanta, ajo tha se kohëve të fundit janë duke menduar që shkollat speciale t’i shkrijnë në shkolla burimore në mënyrë që shkollat e rregullta të kenë hapësirë të mjaftueshme që të involvohen fëmijët me nevoja të vecanta në mënyrë që të kenë cka të mësojnë nga fëmijët e rregulltë.

“Duhet të bëjmë një ngritje të madhe karshi shkollave speciale që ofrojnë trajtim special. Kjo i bie që këta fëmijë dhe shkollat tona të jenë shkolla gjithëpërfshirëse që të pranojnë fëmijë dhe të mos bëjnë diskriminim nga një fëmijë i rregullt me një fëmijë që ka nevoja të vecanta që do të thotë ai fëmijë të ndihet komod dhe rehat me fëmijët e tjerë” u shpreh ajo.

 

 

Intervista e plotë:

 

  1. Çfarë do të thotë për një institucion arsimor ndihma e psikologut?

Drejtimi i psikologjisë në përgjithësi është sfidë në vete, sepse jo secili institucion ka pasur deri tani psikolog. Mirëpo, është një ndihmesë dhe një kërkesë shumë e madhe për secilin institucion. Sepse nevoja është shumë e madhe karshi nevojave dhe problemeve që mund të ketë nxënësi brenda një institucioni shkollor por edhe atyre jashtë shkollës.

 

  1. Na flisni pak për punën tuaj si psikologe e shkollës dhe sfidat e këtij profesioni?

Për shkollën tonë “Remzi Ademaj” është hera parë që ka psikolog dhe kjo është sfidë në vete për vet faktin që ka shërbim psikologjik. Për mua është hera parë dhe viti i parë që punoj si psikologe në një institucion arsimor dhe ndoshta kjo e ka bërë të kem një sfidë më të madhe, një ballafaqim më të madh. Ndoshta edhe prej faktit që unë fillova në kohën kur filloj edhe pandemia në vend dhe në mbarë botën mirëpo për gjithë atyre sfidave jam mobilizuar e jam munduar që ta shfrytëzoj misionin tim si psikologe dhe të krijoj një klimë pozitive në shkollë, në tejkalim të sfidave edhe atyre sfidave që janë më të paparashikueshme.

 

  1. Cilat janë përgjegjësitë tuaja dhe ndihma apo këshillat që ofroni për nxënësit?

 

Zakonisht përgjegjësitë tona mund të jenë të llojeve të ndryshme. Përgjegjësitë e psikologut të shkollës janë të shumta. Së pari bëhet vlerësimi dhe interpretimi për cështjet që kanë të bëjnë në procesin e të nxënit në zhvillimin psikologjik social dhe në zhvillimin e emocional të fëmijëve. Përgjegjësi tjetër është ofrimi i ndimës në tejkalimin e vështirësive të natyrës psikologjike me nxënësit dhe akteret e përgjithshëm të shkollës. Pastaj është ofrimi i ndihmës, identifikimi i  vështirësive tek nxënësit dhe me nxënësit që janë të talentuar po ashtu mbajmë lidhje me arsimtarë lidhur me nxënësit të cilët kanë nevojë për ndihmë ose kanë probleme personale, si përgjegjësi tjetër është edhe te këshillojmë e të mbajmë takime këhilluese me nxënësit të cilët kanë nevojë për ndihmë në mësim, për punën vazhduese dhe t’i këshilloj po ashtu për zgjedhjen e profesionit.

 

  1. Duke qenë se jeni në pozicionin e një psikologeje, a mund të na tregoni pak më gjerësisht se me çfarë problematikash përballen zakonisht fëmijët?

Zakonisht fëmijët përballen me problematika të natyrave dhe fushave të ndryshme p.sh një ndër ta është problemet e frikës rreth fillimit të vitit të ri shkollor si problematikë tjetër që hasim është edhe menaxhimi i keq i kohës nga fëmijët, dështimet në rezultate akademike, trishtimi rreth krizave në familje mund të jetë njëra prej problematikave të radhës pastaj ndjesia depresionit tek fëmija  sidomos në moshën e adoleshencës, depresioni është me i theksuar tek ta, mungesa e disiplinës te fëmijët, droga e alkoholi mund të jetë problematika e radhës mendimi i vetëvrasjes, mungesa e aftësive për të studiuar, shqetësime rreth seksualitetit të tyre, braktisja e shkollës vetëvlerësimi i ulët rreth aftësive personale edhe mund të ketë edhe problemë tjera si marëdhënie me vendimmmarrje në lidhje me bashkëmoshatarët.

 

  1. Sa është e nevojshme prezenca e një psikologu në shkollat tona?

Shërbimi psikologjik në secilin institucion shkollor ka rëndësi dhe ka efektin e vet ndikues për faktin se është një shërbim profesional i cili e kupton më mirë natyrën e mësimdhënies natyrën e nxënësit, prindërve dhe mësimdhënësve. Kjo ndihmon që një bashkëpunim i ndërsjellë dhe efikas mes tyre të akterëve të shkollës por edhe jashtë saj mundet të ndikoj në një klimë pozitive të shkollës në një ndihmesë të madhe të mësimdhënies dhe me të vërtetë ka një efekt mjaft pozitiv dhe mjaftë ndikues.

 

  1. Po juve çfarë iu shtyu që të merrnit pikërisht me profesionin e psikologes dhe që sa kohë e ushtroni?

Qysh në moshë shumë të re kam pasur indikacione që të jem person i afërt karshi bashkëmoshatarëve dhe presonave të tjerë dhe kur ata p.sh kanë pasur situata krize  ose nuk jan ndjerë mirë. Kam qenë unë personi i parë që iu kam ofruar ndihmë edhe mbështetje morale duke u munduar me gjithë atë forcën edhe dhe ndihmesën time që t’i ndihmoj sado pak për të kaluar nga ajo gjendje në të cilën ndodhet. Dhe jo rastësisht ka qenë kjo sepse ka qenë diqka që nuk kam pasur nevojë ta shtyej veten se ka qenë diqka e vullnetshme dhe e brendshme kur kam reaguar në situata të tilla të ju ndihmoj njerëzve sa herë që kanë pasur nevojë. Prandaj kjo dëshirë ka qenë qysh në fillet para si fëmijë.

 

  1. A mund të na flisni rreth strategjisë suaj për të punuar me mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollës?

 

Në shkollë ne japim një kontribut në komunitet për të përmbushur nevojat akademike, shëndetin mendor, shëndetin e nxënësve e të tjera. Konsultohemi me prinderit me mësimdhenesit dhe profesionistët tjerë për të promovuar mirëqenien mendore dhe sukseset e përgjithshme të nxënënve. Gjithashtu vlerësojmë nevojat akademike dhe socio-emocionale të nxënësve zhvillojmë programe të ndryshme deri tek intervenimi tek nxenesi. I mësojmë nxënësit për bashkëpunim efektiv dhe zhvilimin e aftësive për zgjidhje të problemeve si dhe jemi përkrahës në edukimin gjithëpërfshirës. Nje strategji tjetër që e praktikoj është observimi i nxënesve në klasë për të mbledhur të dhëna për intervenime të mundshme karshi nevojave dhe rëndëisë së rastit. I bashkojmë matjet dhe dhe vlerësimet e ndryshme te nxënësve për të krijuar një pasqyrë për ta dhe në rast nevoje ne rekomandojmë program edukimi të vecantë për fëmijë që kanë nevoja të vecanta përmes konsultimeve. Ne ndihmojmë fëmijët në zhvillimin e aftësive për zgjidhje të problemeve të tyre, monitorojmë progresin e fëmijëve gjatë rrugëtimit për arritjet e qëllimeve të caktuara dhe të sistemuara qartë. Gjithashtu ndihmojmë prindërit që t’i njohin nevojat e tyre të vecanta që kanë fëmijët.

8.Ju si profesioniste e kësaj fushe, si do të duhej t’i qaseni një nxënësi që ka përjetuar bullizëm apo ndoshta edhe ngacmim seksual?

Hapi jonë i parë në aspektin profesional që bëjmë si psikolog është pjesa e këshillimit. Ne këshillohemi me këta fëmijë, mbajmë seanca trajnimi dhe këshillimi për rastet kur ka përjetuar ngacmim seksual ose bullizëm duke ngritur vetëdijesimin për një dukuri të tillë.  Pjesa e trajtimit është pjesa ku ai fëmijë është prekur rëndë apo jo rëndë nga kjo situatë dhe se si duhet të ta mobilizojmë që ai fëmijë të dal nga kjo situaë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të operoj në mësimnxenie duke mos pasur presionin nga shoqëria që është prekur nga bullizmi ose ngacmimi seksual. Ne gjithashtu mbajmë takime edhe me personat që bullizojnë duke mbajtur programe vetdijësuese për të kuptuar saktësisht thelbin se cka i shtyn ata që të bullizojnë apo të jenë pjesëmarrës në ngacmmin seksual dhe duke ia bërë me dije gjatë takimeve që kjo nuk është rruga për të bërë dikë të ndjehet keq apo nuk është rruga për të zgjidhur problemin në këtë formë. Prandaj ngritja e vetëdijes me të vërtetë luan një rol të jashtzakonshëm dhe kështu ndikon në një klimë pozitive edhe në klasë edhe në shkollë.

 

  1. Si i qaseni fëmijëve apo nxënësve të cilët përdorin duhanin apo lëndët narkotike? 

 

 Pjesa e këshillimit është pjesa që luan një rol shum ndikues te nxënësit. Për lëndë narkotike nuk kemi pasur raste deri tani mirëpo gjatë konsumimit të duhanit janë zënë e disa janë drejtuar te drejtoria e shkollës mirëpo ne si psikologë të shkollës jemi marrur me pjesën e trajtimit. Kemi mbajtur seanca këshilluese dhe programe të ndryshme vetëdijesimi nëpër klasa për shkak të respektimit të masave Anticovid  nuk na është lejuar të ketë një numër të madh të pjesëmarrësve. Prandaj me te gjitha mundësitë tona jemi munduar që të tërheqim  vërejtje që konusmimi i duhanit nuk është vetëm thyerje e rregullit mbrenda një institucioni shkollor por është edhe i dëmshëm për secilin person që konsumon atë.

 

  1. Sa ka ndikuar në psikologjinë e nxënësve pandemia dhe mbajtja e mësimit online? 

Pandemia si një virus që ka kapluar gjithë botën ka kapluar edhe vendin tonë në një formë të jashtëzakonshme. Ka ndodhur gjithcka pa plan kështu që edhe për fëmijët ka qenë një sfidë e re dhe e madhe që ka ndikuar në mënyrën direkte dhe indirekte në psikologjinë e tyre po ashtu rrjedhimisht kjo ka ndikuar edhe në mbajtjen e mësimit online. Ka qenë sfidë se ka qenë gjendje e re për ne si sfidë teknike si rrjeti nuk ka funksionuar apo qasja në Zoom nuk ka qenë e mirë, kështu që me të vërtetë ka pasur sfida shumë të mëdha. Mirëpo edhe për këtë pjesë kemi mbajt takime të vazhdueshme. Kemi mbajtur seanca këshillimi të vazhdueshme dhe programe vetëdijesimi që të mundohemi të ngrisim vetëdijen.

 

  1. A janë duke humbur nxënësit motivimin, interesimin dhe besimin gjatë mësimit online, dhe nëse po, çfarë do të rekomandonit në këtë rast?

 

Kam mbajtur takime individuale në të gjitha klasat dhe kam mbajt orë vëzhgese gjatë takimit kur ata kanë pasur ndonjë lëndë mesimore. Kam shkuar dhe kam observuar në mënyrë që ta bëjë krahasimin se sa ata janë të involvuar në mësimin online karshi mësimit të rregulltë nëper shkolla. Aty kam parë që mësimi online nuk ka qenë shum frytdhënës përpos sfidës së parë që ka qenë dicka e re për ta dhe e papërballueshme në aspektin e menaxhimit të kohës dhe në aspektin e menaxhimit të teknologjisë. Çka do t’i kisha rekomanduar këtyre fëmijëve është që të mos merren me faktin që ke dicka e re dhe nuk mundem ta përballojmë. Jo përkundrazi i inkurajojmë që ia kanë dalur shumë mirë përkundër sfidave dhe vështirësive dhe sot gjenden përpara një situate që na ka sfiduar. Realisht kanë mësuar diçka të re dhe po ia dalin mbarë në mënyrën më të mire të mundshme. Prandaj edhe ne si profesionistë duhet të kontribuojmë edhe më shumë në ngritjen e motivimit, besimit dhe vetëvlersimit sepse këto janë shtyllat kryesore që nxënsin e mobilizojnë që të arrij suksese në mësimnxënie.