Shëndeti mendor: Çka është dhe si po trajtohet?

Secili person mund të ketë nevojë të konsultohet apo të tregoj rrëfimin e tij ndaj dikujt. Prandaj ekzistojnë njerëzit profesionit të cilët mund të ndihmojnë dhe mund të parandalojnë një çrregullim mendor.

Lidhur me këtë temë është realizuar një intervistë për vetëdijesimin e popullsisë për informata shumë të nevojshme.

Afrim Cana, doktor Specialit i Psikiatrisë dhe drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në qytetin e Gjilanit ka thënë se kjo qendër e mbulon territorin e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë.

Shëndeti mendor sipas Canës është një gjendje më shumë relative sesa absolute.

Treguesit më të mirë sipas tij janë suksesi ose aftësia e tij për t’i zgjidhur problemet në jetën e përditshme, aftësia për mësim, për shkollë, për përkujdesje ndaj vetvetes, familjes dhe ambientin ku ai jeton dhe kapaciteti i individit për t’i zgjedh problemet në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

“Në qoftë se kemi të bëjmë me sëmundje mendore që vijnë direkt si rezultat i faktorëve trashëgues zakonisht ato fillojnë në moshën më të re. Asnjë moshë nuk është e mbrojtur nga mundësia e paraqitjes së problemeve mendore”, tha ai.

Cana tha se realiteti kosovar pas luftës në Kosovë është se janë zhvilluar rrjetet e shërbimit mendor të bazuara në komunitet dhe janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës.

“Nga kjo përvojë që kemi arrit mund të konstatoj që në familje që ekzistojnë resurse të mjaftueshme kemi arrit edhe ne që trajtimi i personave ose anëtarët e familjeve të tyre ta bëjmë në mënyrën më të mirë dhe kjo natyrisht është proces që zgjat, nuk është proces me afat të caktuar kohor”, tha Cana.

Sipas tij, tash ofrohet mundësia që ndaj personave me çrregullime mendore tu qasen duke i aplikuar gjitha metodat ekzistuese.

“Në të kaluarën trajtimi i kësaj kategorie ka pas synim vetëm procesin e hospitalizimt dhe vendosjen nëpër institucione ku kanë gravitu një numër i madh i personave me çrregullime mendore dhe qëndrimi i tyre gjatë gjithë jetës”, tha Cana.

Cana ka përmendur edhe stigmën e cila sipas tij tradicionalisht është përcjell në gjitha kulturat edhe në kulturën tonë.

Por sipas tij tash është arrit një ndërgjegjësim kolektiv lidhur me personat me çrregullime mendore.

“Është arrit një ndërgjegjësim kolektiv në raport me personat me çrregullime mendore por edhe në raport me nevojën ose identifikimin e problemeve dhe sa më herët që po identifikohen problemet ekziston një gatishmëri më e theksuar se në të kaluarën që gjeneratat e reja të konsultohen me problemet që sjell shëndeti mendor”, përfundoi Cana.

Intervistwn me video mund ta ndiqni në këtë LINK.

Ky aktivitet është prodhuar me përkrahen e BE. Përmbajtja e kë tij projekti është përgjegjësi e Akademisë jCodes dhe BIRN dhe në asnjë  mënyrë nuk mund të  konsiderohet qëndrim i BE-së.