Foto: Emine Krasniqi

Sa po iu ndihmon Klubi i Karrierës nxënësve në Rahovec?

Aktivitetet e klubit të karrierës u japin nxënësve një mundësi për t’u lidhur me të tjerët, që të ndajnë pasionin e tyre, për interesimin në karriera të ndryshme dhe për të filluar ndërtimin e një rrjeti profesional.

Një i tillë ekziston edhe në gjimazin “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec. Ky është njëri prej tre klubeve të kësaj shkolle, të cilat janë krijuar nga USAID në bashkëpunim me ASSET, pra mësimi i nxënësve pas mësimit të rregullt, për nxënësit e shekullit XXI.

Në një intervistë të realizuar me profesorin e kësaj shkolle, Arianit Popaj, i cili po ashtu është mentor dhe përgjegjës për klubin, ai ka treguar se kanë filluar këtë aktivitet qysh në fund të vitit 2019. 

Arsyet e krijimit të këtij klubi kanë qenë qëllimi i aftësimit të nxënësve për jetë dhe punë, ku një grup i anëtarëve të klubit marrin pjesë ose edhe organizojnë sesione të ndryshme që t’iu ndihmuar nxënësve të shkollës së tyre për t’u orientuar në karrierë ose për të gjetur punë praktike të mundshme në ndonjë kompani.

Profesori Popaj u shpreh se ky klub ka filluar me një numër më të vogël të nxënësve, ndërsa sot edhe pse është një numër i vogël dhe jo fort i kënaqshëm, pra janë të anëtarësuar diku 10-12 nxënës.

Secili prej tyre është i interesuar në karriera të ndryshme. Kryesisht anëtarësimi bëhet në fillim të vitit shkollor, kurse sa i përket maturantëve ai tha se hapin një lloj konkursi të brendshëm, dhe përzgjedhja bëhet në bazë të kritereve të cilat publikohen në web-faqet e shkollës.

Përzgjedhja e nxënësve bëhet nga vetë mentori dhe “si traditë për hir të transparencës merren edhe ish-anëtarët ekzistues të klubit dhe bëhet një shpallje në klasë, aplikojnë nxënësit dhe në bazë të vlerësimeve dhe kriteret përzgjedhet më i miri”, u shpreh Popaj.

Brenda një jave mbahet një takim dhe komplet gjatë tërë muajit mbahen katër takime të rregullta rreth planeve që kanë të bëjnë me aktivitetet gjatë muajit, ndërsa me akitivitete të tjera siç janë sesione, praktika dhe organizime të tjera, 4-5 ditë në javë punohet me nga rreth 8 orë në ditë. 

Në këtë klub janë mbajtur sesione së fundmi edhe në fushën e modës e të fotografisë me disa nga profesionalistët e kësaj fushe siç janë Diba Celina – stiliste dhe Fjolla Besimi – fotografe.

“Mesazhi im për anëtarët e klubit është që të vazhdojmë ku kemi mbetur me projektet, e kemi një planifikim vjetor dhe që ta realizojmë atë 100%. Pse jo me vazhdu edhe me planet e tjera dhe anëtarët e klubit në fund kanë me qenë të bindur që kanë përfituar shumë, pasi që kemi përvoja edhe nga ishanëtarët dhe kur i takojmë tregojnë që gjatë aktiviteteve që kanë marrë pjesë në klubin e karrierës kanë përfituar mjaft shumë dhe iˈu kanë ndihmuar që iˈu shërbejnë në jetën e përditshme apo dhe gjatë studimeve”, thesoi krejt në fund profesori Popaj.

Autorja Emine Krasniqi është nxënëse e shkollës së mesme “Xhelal Hajda – Toni” në Rahovec.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.