Lyra Pylla
Rrugëtimi drejt suksesit në muzikë
Pianistja e talentuar nga Gjakova, Lyra Pylla, në qershor të vitit të kaluar e ka mbajtur koncertin e parë recital.
Të pasionuarit pas muzikës kanë pasur kënaqësinë që të dëgjojnë tingujt e programit gati një orësh që ka performuar Lyra. Për këtë performancë, 18-vjeçarja ishte përgatitur gati 6 muaj me profesoreshën e saj.
Që nga mosha 5-vjeçare, Lyra ka qenë pjesë e korit të fëmijëve dhe pas një viti filloi mësimet e pianos në klasën e profesoreshës Tringa Siqeca.
Lyra ka marrë pjesë në koncerte e gara brenda dhe jashtë vendit.
“Pikërisht kanë qenë paraqitjet në skenë që ma kanë shtu dashurinë për muzikë”, thotë ajo.
Lyra me orkestrën dhe korin kanë luajtur këngë shqiptare e gjermane, për çka thotë se kjo e ka bërë më të veçantë atë paraqitje.
Pianistja e re është duke vijuar mësimet në drejtimin piano instrumental në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.
Ajo planifikon që pas përfundimit të shkollës së mesme, të vazhdojë studimet në lëndën e dirigjimit.
“Më pëlqen gjithçka me muzikën dhe nuk mendoj që do ta ushtroja më mirë ndonjë profesion tjetër”, shprehet 18-vjeçarja.
Autorja Klementina Paloka është nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.