Kitaristi 23-vjeçar nga Gjakova, Lorik Pylla

Rrugëtimi artistik në kitarë, nga Gjakova në Gjermani

Artisti Lorik Pylla, i cili me muzikë ka filluar të merret që nga mosha 6-vjeçare, ka qenë nxënës në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, në klasën e profesorit Gjulian Bytyqi.

Pasi përfundoi shkollimin e mesëm në Gjakovë, 23-vjeçari vazhdoi studimet e kitares në klasën e profesorit Tilman Hoppstock në Akademinë e Muzikës në Darmstadt të Gjermanisë.

Ai ka marrë pjesë rregullisht në gara të ndryshme të kitarës nëpër Europë dhe është shpërblyer edhe me çmime të para.

Përvojat më të mira sipas tij janë koncertet e ndryshme dhe takimi e ekzekutimi me instrumentistë të tjerë.

“Secili vend dhe shtet që e kam vizitu, e kam koncertu e ka pasë veçantinë  e vet dhe prej secilit koncert e secilës përvojë kam kujtime shumë të bukura”, ka deklaruar Pylla.

Ai beson se mundësitë më të mëdha për të ecur përpara në karrierë i ka në Gjermani por Pylla ka theksuar se është i hapur për çdo ofertë që vjen nga Kosova.

Prej koncerteve më të veçanta ku ai ka performuar është koncerti i tij solistik në Festivalin e Kitares në Castell Arquato të Italisë.

“Isha një javë atje, ishte mesi i korrikut. Një atmosferë fantastike dhe një qytet jashtëzakonisht i bukur.  Italia me ofroi një mikpritje shumë të ngrohtë, ku vlen të ceket edhe ushqimi fenomenal”, ka përfunduar artisti nga Gjakova.

Autori Erblin Zogaj është nxënës i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.