Programimi e robotika, profesionet e së ardhmes shtrijnë ndikimin te të rinjtë mitrovicas

Të bindur për rëndësinë dhe prespektivën e sektorit të IT-së në Kosovë, të rinjtë nga Mitrovica po krijojnë karrierë në këto fusha ende pa kryer shkollën e mesme.

Nxënësit mitrovicas po angazhohen në fushën e programimit dhe robotikës duke treguar potencial për karrierë të bujshme në këtë fushë. 

Megjithëse disa nxënës pasioni po i udhëheq në fushën e informatikës, shkollat momentalisht ende nuk ofrojnë mësime praktike të duhura në këtë fushë për shkak të pamundësisë që kabinetet shkollore të qëndrojnë në hap me pajisjet dhe të rejat teknologjike

Ata poashtu konsiderojnë se përpos suksesit personal, mund të sjellin të mira në shoqëri duke sjellur ide kreative të zgjidhjeve të problemeve të shoqërisë.

Edon Stavileci, një djalë 18 vjeçar  thotë se e ka pasion programimin  dhe ka synim të vazhdoj më tutje.

Ai vijon mësimet në gjimnazin “Frang Bardhi”, në Mitrovicë por thotë se punën e programimit e nisi duke u angazhuar privatisht nëpër organizata të ndryshme.

“Gjuha e parë programuese që e kam mësuar është HTML dhe CSS .Tek programimi më pëlqen më së shumti strategjia e cila duhet t’a përdor për zgjedhjen e problemeve si dhe mënyra se si duhet të krijoj kode”, thotë ai për KALLXORinia.

Për Edonin, gjuhët programuese që shërbejnë për komunikim me kompjuterin, janë gjuhë të së ardhmes dhe hapëse dyersh për shumë projekte kreative.

“Projekti im i parë sa i përket gjuhës programuese ka qenë krijimi i një uebfaqeje ndërsa gjuha ime e preferuar e programimit është Java-Script”, vazhdon ai.

Ai tregon se ka bashkëpunuar edhe me një organizatë të specializuar për teknologji  të quajtur “Ei Kosovo” (Edukation Innovators of Kosovo).

Përderisa veten e sheh duke vazhduar në këtë karrierë, ai ka një mesazh edhe për bashkëmoshatarët e tij.

“Do ua sugjeroja moshatarëve të mi punën e programimit sepse teknologjia dita ditës po avancohet dhe është një punë e cila sot kërkohet më së shumti dhe në të cilën ka prespektivë më të madhe punësimi” përfundon Edoni.

15 vjeçari që synon krijimin e robotëve

Në të njëjtën shkollë ku mëson Edoni, mësimet i vijon edhe një entuziast i teknologjsë. Dion Tahiri, 15 vjeçar, e ka pasion Robotikën. 

Ai ka filluar që të ketë interesim në këtë fushë para dy viteve ndërsa ka zhvilluar edhe trajnime për to.

 Për Dionin, të mësuarit mbi robotët është diçka që e bën me përkushtim dhe me qejf poashtu është e lidhur me programim ku ai mendon t’a vazhdojë më tutje.

“Qëllimi i robotëve është të imitojnë karakteristikat e njeriut dhe nevojat e tij. Kam filluar që nga klasa e tetë të merrem me Robotikë. Unë fillova rastësisht  përmes një Fondacioni Kosova Makers League ku ne aty morëm njohuri për robotët,  pastaj na u dhanë robotë për t’i montuar ne vetë nëpër shkolla”, kujton Dioni.

Ai tregon për lidhjen e ngushtë të njohurive mbi programimin për të kaluar më pas te krijimi i robotëve, ku sipas tij ka pafund hapësirë për imagjinatë.

“Fillimisht nevojitet njohuri në kompjuter, gjuha angleze. Nevojitet hapësirë për punë si dhe disa elemente bazë siç janë: motorrat ku me anë të cilave roboti leviz kudo përmes rrotave; senzorët ku përmes tyre roboti ndjen se çfarë ka në mjedisin e tij dhe energjia ku roborit I duhet për të kryer veprimet e tij”, shpjegon ai.

Ai thotë se këtë fushë për të e kanë bërë tërheqëse edhe garat që i kanë bërë me komunat tjera.

“Ne morrëm pjesë në një garë me 5 raunde, ku arritëm që në raundin e dytë të kemi vendin e parë, poashtu edhe në raundet e tjera ishim të kënaqur me zënien e vendeve”, thotë ai.

Dioni ka vendosur që të ndjekë rrugën e programimit si karrierë me prespektivë në shekullin 21.

Teknologjinë e shekullit të ri, megjithatë, nuk e po e kanë të lehtë ta ndjekin shkollat e mesme në Kosovë, duke pasur parasysh buxhetin edhe ashtu të limituar.

 Xhevat Beka, Profesor i informatikës në Gjimnazin “Frang Bardhi” thotë se kabineti i informatikës në shkollë mbahet gjallë falë donacioneve.

“Falë donacioneve dhe përkushtimit të profesorave të TIK-ut mbajmë aktiv kompjuterët,sepse shkolla jonë e ka një buxhet të limituar sa I përket kësaj kategorie. Ne i kemi afër 1600 nxënës që ifrekuentojnë kabinetet e TIK-ut dhe shkalla e amortizimit të paisjeve sillet rreth  25% në vit. Andaj mundësitë janë të vogla që këta të ripërtrihen me kalim të kohës”, thotë profesori.

Ai thotë se ka shumë interesim të të rinjve për këtë fushë, pasi është një sektor për të cilin ka kërkesë në treg.

“Një pjesë e nxënësve zgjedhin për të studiuar në këto fusha sepse është mundësia më e shpjetë për punësim,ku disa angazhohen edhe në tregun e jashtëm si puna në distancë”, përfundon profesori.

 

Autorja Florinda Kelmendi  është nxënëse e klasës XII/3 nga gjimnazi “Frang Bardhi”, në Mitrovicë. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit