Dafina Kerleshi

Pianistja nga Gjakova që preku skenën ndërkombëtare

Dafina Kerleshi nga Gjakova është pianiste aktive në koncerte e gara lokale dhe internacionale që 14 vite. Artisja nuk e konsideron këtë si profesion por si mënyrë e të jetuarit.

Talenti muzikor është trashëgimi nder breza në familjen e saj. Përderisa me nostalgji kujton herën e parë kur si nxënëse e klaeses së parë u shpërblye me çmimin e dytë në garat pianistike EPTA Vlorë, Shqiperi.

“Ishte pikërish ai momenti ku kuptova që arti i performimit skenik, ishte ajo çka dua të bëj gjatë tërë jetës”, thotë ajo.

Dafina sot numëron 30 diploma e çmime nga më të ndryshmet duke koncertuar e garuar në vende të ndryshme të botës.

Ajo mësimet e para të pianos i mori në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në qytetin e saj.

20 vjeçarja thotë se gjatë këtyre 14 viteve karriere si pianiste koncertale dhe garuese, piano ka hapur shumë dyer për të, të zhvillohet si individ në nivel profesional muzikor por edhe në aspektin psikologjik dhe emocional.

“Përveç garave e koncerteve kënaqësia më e madhe si pianiste është të punoj me instrumentistë të ndryshëm nga e gjithë bota, këto mundësi më janë ofruar duke u ftuar të marr pjesë në masterklasa të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Rusi e Lituani. Komunikimi me profesionistë botërore më ka ndihmuar tëe zhvilloj një pikëpamje më ndryshe ndaj muzikës dhe artit të performimit”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se qëllimi i saj është që në fund të çdo performance të ketë arritur të përçoj gjithë energjinë e saj tek dëgjuesi, që kur të del nga salla koncertale të ndihet i plotësuar shpirtërisht nga muzika saj.

Për këtë thotë se kjo është arritja më e lartë e një artisti të denjë.

“Nevoja për të performuar nuk ushqehet gjithmonë me duartrokitje, çmime e diploma pjesëmarrjeje, arti i performimit për mua është me tepër se aq”, përfundon 20-vjeçarja nga Gjakova.

Autorja është Klementina Paloka, nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.