Qyteti i Prizrenit

Nga vallet tradicionale te muzika klasike, nxënësit prizrenas shfaqin talentin në muzikë

Në qytetin me histori dhe traditë në art gjeneratat e reja janë duke u rritur në edukimin e artit dhe muzikës. 

Ende pa i mbushur 18 vjeç dy të rinj kosovarë nga Prizreni po sfidojnë veten në muzikë, duke ndjekur dy zhanre shumë të ndryshme por me pasion të madh nga të dy palët.

Kur nuk e ka veshur uniformën e shkollës, Ermir Bytyqi shpesh ka veshur tirqit e plisin duke u bërë gati të performojë ndonjë nga vallet tradicionale shqiptare.

Pasionin e tij për vallëzimin ai nisi ta praktikojë që nga klasa e pestë ndërsa vallet e kanë dërguar nëpër shumë qytete brenda dhe jashtë vendit.

15 vjeçari vijon mësimet në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren ku po ashtu ka treguar sukses të madh.

Ai thotë se shtysë për tu marrë me muzikë e kishte edhe profesionin e muzikës ndërsa veçon një aktivitet ku mori pjesë në Stamboll për të performuar  vallet shqiptare.

“Dua ta veçoj aktivitetin tim ne Stamboll, ku kemi marrë pjesë më 23 prill të vitit të kaluar, organizim ky për Ditën e Fëmijëve, ku kemi vallëzuar dy valle nga 5 minuta dhe ka qenë më të vërtete një ndër pjesëmarrjet e mija më të mira” , kujton ai.

Përveç kësaj, ai thotë se merr pjesë në shumë aktivitete vendore dhe veçanërisht aktivitetet e shkollës.

Ai ka një mesazh edhe lidhur me vlerën e ruajtjes së traditave kombëtare në valle dhe më gjerë.

“Vlerat kulturore, vallet shqiptare janë çdoherë të vlefshme për popullin tone.Ato duhet të përcillen brez pas brezi për t’u mos humbur, sepse luajnë një rol të rëndësishëm për shoqërinë tonë”, thotë ai.

Megjithëse merret shumë me vallet, Ermiri thotë se ka zhvilluar edhe hobi dhe fusha të tjera të interesit të tjera që përfshijnë basketbollin  dhe informatikën.

Nxënësja nga Prizreni krijon e inspiruar nga gjigandët e muzikës klasike

Fëmijërinë e kishte pasur të mbushur me muzikë dhe pasioni për të nuk ju zbeh.

Pianon dhe këndimin i ka miq të mirë, Anita Krasniqi nxënëse e Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren.

“E gjithë jeta ime është muzikë sepse muzika është me mua kudo.Muzika më bënë të qaj, më bën të buzëqesh, të kujtoj momente të vështira ose të lumtura dhe kjo është magjia e saj.Muzika është pjesë e shpirtit tim dhe nuk do të heqë dorë prej saj”, thotë ajo.

Sipas Anitës, shtysë e madhe në karrierën e saj në muzikë kanë qenë profesorët në shkollën ku vijon mësimet.

Megjithatë, ajo ka treguar për disa nga inspirimet më të mëdha në muzikë.

 “ Mua më pëlqen shumë muzika klasike, sepse muzika klasike ka aftësinë për të qetësuar shpirtin e njeriut, por njëkohësisht të vë në një humor të menduarit të thellë. Disa prej artisteve klasike që më pëlqejnë shumë janë:Moxart, Antonia Vivaldi, Joseph Haydn, etj.”, shpjegon Anita.

Ajo tashmë është e sigurt që kjo është karriera që dëshiron ta ndjek, por magjinë e muzikës kërkon ta ndajë edhe me të tjerët.

“Plani është të vazhdoj të merrem me muzikë sepse më mbush me energji positive, dhe për të gjithë duhet thënë se muzika duhet vlerësuar pozitivisht nga të gjithë dhe kjo jo vetem nga efektet që ajo ka, po, sepse konceptihet si diçka e veçantë, diçka unike dhe e paharrueshme”, thotë ajo.

E karriera në muzikë klasike po shihet si zgjedhje e mirë edhe nga profesorët e kësaj fushe.

“E ardhmja për të rinjtë që merren me muzikë është shumë e mirë sidomos në vendin tonë  sepse ne nuk kemi mjaft muzicientë për muzikën klasike që nevojiten për të krijuar orkestra nëpër qytetet tona…edhe institucionet dhe shoqërija jonë nuk ka bërë dhe ende nuk bëjnë asgjë për ngritjen e nivelit të kulturës konkretisht muzikës që ne të kemi një nivel dhe edukim të shoqëris si në vendet e zhvilluara që kanë traditë dhe investojn në muzikë gjithmonë”, thotë Shkumbin Krasniqi, Profesor në Shkollën e Muzikës ”Lorenc Antoni”.

Ai argumenton se rinia në vend janë të zhgënjyer dhe pak i besojnë këshillave mbi ardhmërinë dhe rëndësinë e karrierës.

“E di që këshillat janë jo të mira për të rinjët që jetojnë në Kosovë, sepse janë të mërzitur dhe të lodhur me jetën dhe pak mundesi që ju ipet në këtë vendë, por duhet të këmbëngulin në edukimin dhe shkollimin e tyre cilësor…..  edukimi në artin muzikor do t’i hapte shumë rrugë edhe në zhvillimin e shtetit në çdo aspekt. Është diçka e pazëvendësueshme, veç ata që janë të edukuar denjësisht mund ta kuptojnë”, përfundon profesori.

Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren

Autorja Erolinda Dervishaj  është nxënëse e klasës XII/8 nga gjimnazi “Remzi Ademaj”, në Prizren. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit