Motrat nga Mitrovica që po bëjnë emër në sport e muzikë

Dy ish- nxënëset e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë synojnë skenat e mëdha botërore në muzikë e sport.

Dy motrat Ersa dhe Melisa Ibrahimi kanë nisur rrugën e tyre të suksesit në klubin e basketbollit “Trepça” ndërsa krahas sportit po vazhdojnë edhe me muzikën. 

Motrat Ibrahimi janë lojëtare të klubit basketbollistik “Trepça”.  Paraprakisht  të dyja kanë mbaruar shkollën e mesme të muzikës “Tefta Tashko” ndërsa tani, Melisa ka zgjedhur të studiojë për piano ndërsa Erisa edukimin fizik dhe sportin në Universitetin e Prishtinës.

Rishtazi pianistja e re mitrovicase Melisa Ibrahimi në Garat ndërkombëtare “International Music Competition” fitoi çmimin e dytë të kategorisë senior. 

Ajo u përzgjodh e dyta mes  253 konkurrentëve të tjerë nga mbarë bota, nga juria e  përbërë prej 6 pianistëve botërorë nga Franca,Kina ,Gjermania,Serbia, etj…

“Vetëm të jesh pjesëmarrëse në një garë të tillë është arritje, dhe të arrish ta fitosh çmimin e dytë është një sukses i vërtet. Personi kryesor në sukseset e mia është profesoresha ime Alberta Troni, ajo është arsyeja kryesore që unë jam sot këtu dhe çfarë do të jem në të ardhmen.”  thotë Melisa për KALLXORinia.

18 vjeçarja  aktualisht është studente në Programin Piano të  Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Melisën e bëri për vete piano që në vegjëli  dhe mësimet e para  i filloi në moshën 10 vjeçare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.

Po në këtë moshë Melisa performoi për herë të parë para publikut .

“Kemi mbajt një audicion rreth atij koncerti dhe pastaj nxënësit që kanë interpretuar më mirë jemi përzgjedhur të luajmë në koncertin para publikut,”kujton Melisa.

Arritjet që ka sot  Melisa ia atribuon përkushtimit në këtë fushë ndër vite.

“Prej fillimit të karrierës pianistike gjithmonë kam qenë pjesë e koncerteve, festivaleve ,garave . Kam marr pjesë në shumë festivale, në shumë koncerte që janë mbajtur në nivelin komunal, po ashtu kam marr pjesë në gara pianistike ,ku jam shpërblyer me çmimet e para dhe çmimet tjera”, thotë ajo

Ndër sukseset tjera, Melisa ka marrë diploma e mirënjohje nga festivalet vendore dhe ato në Serbi, Itali e vende të tjera.

“Piano më bën të bëj gjithçka që kam në jetë ,thjeshtë më bën të ndihem gjallë.

Mendoj që puna është gjëja kryesore që e ngrit njeriut në karrierën e tij, po natyrisht pak rol luan edhe talenti, por prapë përkushtimi më i madh duhet me qenë te puna” thotë Melisa.

Ajo thotë se inspirohet nga kompozitorët e famshëm botërorë siç janë Shopen(Chopin), Rahmaninov(Rachmaninoë) dhe F.Liszt.

Skena dhe piano nuk është vendi i vetëm ku Melisa Ibrahimi shkëlqen.

Ajo është pjesë e klubit basketbollistik “Trepça” tash e 8 vite që garon në Superligën e Kosovës.

Ajo poashtu është edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës në basketboll që prej moshës 14 vjeçare që kur Federata e Basketbollit të Kosovës ka fituar të drejtën që të paraqitet në garat europiane.

“Faktikisht këto dy profesione nuk është se kanë lidhje shumë të madhe ndërmjet veti , por nëse inshikojmë nga ana e brendshme kanë një ndikim të madh në njëra-tjetrën, pasi që basketi mua personalisht më ka ndihmuar shumë në krijimin e një karakteri më të fortë dhe në krijimin e një karakteri fitues ,që kjo i duhet çdo pianisti ose çdo muzikanti.” thotë ajo,

Meqë e ka të qartë vizionin për karrierën dhe investimin në art dhe sport, ajo ka një mesazh për të rinjtë e tjerë që ende kanë dilema në këtë fushë.

“Çelësi kryesor në rrugëtimin e sukseseve është puna, gjithmonë duhet të vazhdoni të punoni shumë dhe më shumë se që mundeni, besoni në veten tuaj dhe gjithçka që jeni, pasi që sepse brenda jush ka diçka më të madhe se çdo pengesë, më e rëndësishmja në jetë është që të punoni dhe të shpresoni e të përpiqeni.Kurrë mos u dorëzoni ,jeni krenar me veten.” porosit Melisa Ibrahimi.

Basketbollistja që ka pasion edhe kontrabasin

Motra më e madhe e Melisës, Erisa, që ndau pasionin e njëjtë me motrën në fëmijëri, ka vendosur megjithatë që profesionalisht ta ndjek basketbollin.

Erisa Ibrahimi është gjithashtu basketbolliste e suksesshme në klubin basketbollistik  “Trepça”. 

Ajo ka përfunduar shkollën e mesme në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”.

Në moshë të re ajo pati pasion instrumentin e kontrabasit.

Megjithatë ajo tani i vijon studimet në Universitetin “Hasan Prishtina” të Edukimit Fizikë dhe Sportit.

Ajo thotë se edhe pse sot nuk vazhdon këtë rrugë, shkolla e muzikës i ka dhënë asaj eksperienca shumë të mira.

Ajo ka zgjedhur që rrugëtimin e saj ta vazhdojë në sport pasi gjithmonë ka  pëlqyer më shumë sportin.

”Si fëmijë çdo herë në lagje kam luajtur futboll dhe basketboll, qysh në atë kohë kam anuar më shumë nga sporti. Pastaj prej moshës 12 vjeqare kam filluar sportin e basketbollit , ku edhe sot me plot  kënaqësi jam pjesë e këtij sporti të bukur.”, thotë ajo.

Ajo të ardhmen e saj e sheh po në këtë fushë dhe ka nisur hapat për vazhdimin e karrierës si sportiste.

“Duke marrë parasysh që tani më jam duke studiuar më shume në fushën e sportit , besoj që në të ardhmen do të jem profesoreshe e Edukatës Fizike , por pse jo edhe trenere dhe te jem e suksesshme në të dyja fushat.” ka thënë Erisa për KALLXORinia.

Erisa gjithashtu ndjehet shumë e lumtur për arritjet e motës.

”Të kem një motër sikur Melisa me të vërtetë më bën të ndihem krenare për të dhe sukseset e saj.  Çdo herë e ka dhe do ta ketë mbështetjen time”, përfundon ajo.

Autorja Shkurta Ramadani është nxënëse e  klasës XI-8 nga gjimnazi “Frang Bardhi”, në Mitrovicë. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit