Shpat Syla- Basketbollist dhe maturant në gjimnazin "Frang Bardhi" në Mitrovicë

Maturanti nga Mitrovica që po shkëlqen në kombëtaren e basketbollit

Gjysmën e ditës ia merr shkolla e gjysmën tjetër sporti. Megjithatë, maturanti nga Mitrovica, Shpat Syla po ia arrin të mbesë kampion në të dy fushat.

Shpati thotë se basketbollin e pati pasion si fëmijë dhe palestrës nuk iu nda kurrë. Sot, kur ai po vijon mësimet në klasën e 12-të në gjimnaz, ai ka arritur të bëhet edhe pjesë ekipit të parë të klubit basketbollistik “Trepça”, në Mitrovicë.

Nxënësi i gjimnazit “Frang Bardhi” gjithashtu është pjesë e kombëtares së Kosovës në basketboll për grupmoshat nën 18 vjeç.

Në vitin 2018, kombëtarja e Kosovës U18 fitoi Kampionatin Evropian, Divizioni C, që ishte mbajtur në Prishtinë.

Në të majtë: Shpat Syla, basketbollist dhe maturant në gjimnazin “Frang Bardhi”, në Mitrovicë

“Në fillim jam stërvitur në klubin e Trepçës dhe pastaj kam vazhduar në klubet e tjera të Kosovës”, kujton Shpati.

Ai thotë se në ditë i duhen rreth 5 orë për të ushtruar ndërsa rreth 5 orë të tjera ai është në proces mësimor.

Balanci mes këtyre dyjave, sipas Shpatit, nuk është i lehtë por është i domosdoshëm.

“Është e vështirë shumë sepse është e vështirë që të fokusohesh në dy gjëra kryesore për një kohë të njëjtë dhe prandaj është vështirë, që të kesh sukses duhet që të durosh dhe të punosh shumë”, tha ai.

Shpati thotë se puna e tij e lodhshme ia ka vlejtur pasi lojëtarët që dikur i kishte idhuj në klubin “Trepça”, tani i ka kolegë.

Ndërsa sa i përket lojërave në kombëtare, maturanti ndan një moment të veçantë krenarie.

“Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë sidomos kur shfaqet himni i vendit tënd aty është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë”, tha basketbollisti.

Shpati thotë se sukseset më të mëdha në jetën e tij përfshijnë inkuadrimin në ekipin e parë, lojërat me kombëtaren e Kosovës dhe fakti që ka qenë kampion në nivel vendi.

Kosova U18 (M) do të garojë në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni B që do të mbahet në Oradea të Rumanisë prej 24 korrik deri më 2 gusht 2020.

Megjithë anët pozitive të pasionit të tij, Shpati e pranon se kushtet për të zhvilluar këtë sport nuk janë ndër më të mirat.

“Zakonisht klubet janë shumë të dobëta si në anën financiare dhe atë infrastrukturore sepse gjatë dimrit është shumë ftohtë dhe klubet financiarisht nuk i kanë kushtet adekuate për lojtarë”, thotë Shpati.

Ëndrrat e të rinjve karshi problemeve financiare të sportit

Megjithëse interesimi i të rinjve për t’u marrë me sport po rritet, një ndër problemet e sportit lokal është mungesa e financave dhe leverdisë për lojtarët.

Për sukseset e grupmoshave të reja në basketboll, për KALLXORinia ka folur edhe trajneri  i klubit basketbollistik “Trepça”, Ilir Selmani.

Ilir Selmani, trajner

 Ai thotë se mësimi i grupmoshave të reja është sfidë pasi në këtë kohë ata formësohen si lojtarë.

“Duhet të kesh kujdes të veçantë që fëmijët t’i mësojnë elementet teknike në mënyrë shkollore dhe po qe se ata në atë kohë nuk i mësojnë do të jenë të mangët në të ardhmen si lojtarë…kështu që duhet të kemi kujdes ne si pedagogë dhe trajnerë  në mësimin e basketbollit te të rinjtë”, tha Selmani.

Ai thotë se Shpat Syla ka një të ardhme të ndritur në këtë sport.

“Shpat Syla është një djalosh i talentuar i cili i ka kaluar të gjitha grupmoshat duke filluar nga shkolla e basketbollit dhe mendoj që nëse Shpati punon në mënyrë sistematike besoj që e ka një të ardhme të ndritur në basketboll jo vetëm në klubin tonë por edhe më gjerë, kështu që unë i dëshiroj suksese në të ardhmen në fushën e sportit”, thotë trajneri.

Ai tha se shpreson që për basketbollin kosovar do të vijnë ditë më të mira dhe të investohet më shumë në gjenerata të reja.

Trajneri gjithashtu pati një mesazh për të tjerë të rinjë që dëshirojnë të ndjekin këtë rrugë.

“Unë i ftoj të gjithë të rinjtë të merren me aktivitete fizike dhe me sport e posaçërisht me basketboll pasi që sporti dhe basketbolli në veçanti ju largon nga dukuritë negative,ju socializon,ju bën më të fortë në qdo aspekt si ai fizik,psikik,emocional,etj”, përfundon Selmani.

Klubi basketbollistik “Trepça” u formua në vitin 1972 dhe është ndër klubet më të trofeshme në Kosovë.

Ajo në historinë e saj ka fituar 3 herë Superligën e Kosovës në basketboll si dhe 4 herë Kupën e Kosovës.

Suksesi i fundit i klubit u regjistrua në vitin 2012 ku për herë të fundit fituan Kupën e Kosovës.

Që nga atëherë klubi ka kaluar në disa sfida financiare shumë të mëdha dhe disa vite nuk kishte as palestër ku t’i zhvillonte ndeshjet si vendas. 

Tani në krye të klubit “Trepça” është ish basketbollisti Besim Braha si dhe tajner i kësaj ekipe është kroati Neven Plantak.

Në këtë sezon, “Trepça” është eleminuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës kurse në superligë gjindet në vendin e 7 me gjithsej 31 pikë të tubuara  duke numëruar 7 fitore dhe 17 humbje .

 

Autori Bledion Fazliu është nxënës i klasës XII/3 nga gjimnazi “Frang Bardhi”, në Mitrovicë. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.