Maturantët gjilanas synojnë majat në futboll e volejboll

Përderisa po përgatiten për një përfundim të pazakonshëm të shkollës së mesme, në kushte pandemie, dy maturantë gjilanas tashmë kanë vënë pikat në vizionin e karrierës.

Shkurte Hasani dhe Elham Rrahimi janë dy nxënës nga gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan që po merren me sport, nga ku synojnë sukses ndërkombëtar.

Shkurta, që vijon mësimet në klasën 12/7, po merret me volejboll tash e disa vite. Ajo luan për ekipin e shkollës por është edhe pjesë e ekipit “Drita” të Gjilanit.

Ajo tregon kohën kur nisi të kuptojë se dëshiron të ndjekë këtë sport dhe përkrahjen që mori nga familja.

“Talentin tim e ka zbuluar profesori i edukatës fizike Bashkim Hyseni në shkollën fillore.Gjithmonë besimi i tyre më ka inkurajuar që të punojë çdo herë e më shumë”, thotë ajo për KALLXORinia.

 Gjimnazistja thotë se është krenare me punën e ekipit “Drita” dhe ka treguar për inspirimet e saj në këtë fushë.

10.A ka pasur raste kur ke qenë e zhgënjyer nga paraqitja jote në ndonjë ndeshje?

“Nuk jam zhgënjyer asnjëherë pasi që çdo herë si ekip kemi qenë të përgatitur. Adelajda Prenga e cila është trajnerja ime dhe Fjolla Shabani janë inspirimi im për të ardhmen”, thekson ajo.

Përveç angazhimeve në shkollë, Shkurta ka stërvitje dy herë në javë nga dy orë. Megjithatë, sulmuesja e Dritës thotë se nuk i pengon fare angazhimi në sport për punët e shkollës dhe anasjelltas.

Ajo thotë se ëndërron të bëhet lojëtare e njohur ndërsa ka një mesazh për sportistët e rinj.

“Sporti do përkushtim dhe punë andaj punoni fort dhe besoni në vetvete. Asgjë nuk është e pamundur”, përfundon ajo.

Futbollisti i ri inspirohet nga Christiano Ronaldo

Duke parë prespektivën e futbollit në arenën e sportit kosovar dhe ndërkombëtar, në këtë fushë po angazhohet edhe një i ri nga Gjilani.

Elham Rrahimi, po ashtu maturant në gjimnazin “Zenel Hajdini”, tashmë është angazhuar në futbollin profesionist.

Lojëtari i klubit futbollistik “Galaksia” ka treguar për KALLXORinia fillet e zhvillimit të talentit të tij.

“Talentin e ka zbuluar babai im sepse që në fëmijëri kam pasur dëshirë të madhe të bëhem futbollist.Prindërit janë ata të cilët gjithmonë kanë pasur besim në mua, thotë ai.

Elhami thotë më shumë i pëlqen të luajë futboll se sa të shikojë ndeshjet. 

“Përveç futbollit merrem edhe me aktivitete shkollore dhe me palestër”, shpjegon ai.

Futbollisti i ri thotë se nuk duhet të jetë i vetëkënaqur me sukseset dhe se synon përmirësimin e vetes gjithmonë.

“Ka pasur raste kur kam qenë i zhgënjyer por gjithmonë kam kërkuar më të mirën nga vetja. Pas çdo fitore apo paraqitje të mirë e ndjej vetën krenar”, thotë nxënësi.

Përveç shembujve lokal, për Elhamin inspirim gjigand është Christiano Ronaldo nga Real Madrid që është shpallur lojëtari shpallur më i miri në botë pesë herë.

Ai ka fituar gjithashtu shumë çmime ndër të cilat më i rëndësishmi për të është Kampionati Regjional me grupmosha U17.

Megjithatë, për të, angazhimi në futboll ndonjëherë i paraqet probleme në balancin me shkollën.

 “Stërvitjet i bëjmë rreth dy orë, nuk janë aq te vështira pasi që i praktikojmë çdo ditë.Obligimet në shkollë ndonjëherë e bëjnë më vështirë përqëndrimin në futboll por edhe e kundërta”, thotë ai.

Derisa vetë ëndërron të bëhet lojëtar i rangut botëror, të rinjve u sugjeron të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre

“Mesazhi im për sportistët e rinj është që gjithmonë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen kurrë”, përfundon Elhami.

Autorja Arta Mustafa është nxënëse e  klasës XII-7 nga gjimnazi “Zenel Hajdini”, në Gjilan. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit