Foto: Gjimnazi "Zenel Hajdini" në Gjilan/Facebook

Kontributi i mësimdhënësve për shtrirjen e internetit në gjimnaz gjatë pandemisë

Viti 2020 ka qenë një vit jo i mbarë si pasojë e COVID-19. Pandemia ka prekur çdo sferë të jetës së njerëzve sidomos gati në mesin e vitit 2020, kur ka pasur edhe bllokim total.

Një prej sektorëve që e ka vuajtur më shumë pandeminë, ka qenë arsimi. Kalimi nga mësimi në shkollë, në mësimin nga distanca, krijoi probleme zingjirë në zhvillimin e procesit mësimor.

Sigurimi i pajisjeve elektronike, trajnimi i mësimdhënësve në përdorimin e pajisjeve dhe platformave elektronike për mbajtjen e mësimit, metodologjia e mbajtjes së mësimit në distancë, angazhimi i nxënësve në orët e mësimit online, kanë qenë disa nga sfidat e procesit mësimor gjatë pandemisë.

Fillimisht, gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, kanë mbajtur mësimin në distancë, mësimdhënësit nëpër shtëpitë e tyre dhe nxënësit nëpër shtëpitë e tyre.

Por kur ka filluar viti shkollor 2020/2021 në shtator, atëherë gjimnazi “Zenel Hajdini” ka filluar mbajtjen e mësimit sipas skenarit B, ndarja e nxënësve në grupe, gjysma në shkollë dhe gjysma në shtëpi, me ndërrime.

Në mënyrë që kjo të realizohet, mësimdhënësit janë angazhuar vullnetarisht dhe me mjete vetanake për të shtrirë internetin në objektin e gjimnazit “Zenel Hajdini”.

“Profesorët kanë punuar si të ishin inxhinierë, mjeshtër, me hilte në dorë dhe e kompletuan rrjetëzimin e internetit në shkollë’’, ka theksuar drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha.

Pas rrjetëzimit vullnetar, drejtori ka thënë se ka gjetur mbështetje edhe prej Drejtorisë së Arsimit dhe kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Hoxha ka treguar se janë në proces të sigurimit të laptopeve dhe projektorëve të rinj dhe po planifikojnë që vitin e ri akademik ta fillojnë me mësim në kabinete.

Drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, Sami Hoxha, ka thënë se COVID-19 ka sjellë vështirësi në pjesën organizative të mbajtjes së mësimit.

Ndryshimi i zhvillimit të procesit mësimor, nga fizik në online, konsiderohet si problemi i parë me të cilin u ballafaquan i gjithë stafi i shkollës dhe nxënësit në mars të vitit 2020.

Pas mbylljes së shkollave, kontakti me nxënës dhe zhvillimi i mësimit mbahej përmes platformave të ndryshme elektronike si – Zoom, Google Meet dhe Viber.

“Përpjekjet e profesorëve për realizimin e plan-programit mësimor ishin maksimale edhe pse kishte mungesë të një numri të nxënësve të painteresuar, rezultatet ishin të kënaqshme. Gjithçka ishte transparente dhe nxënësit e interesuar ishin në kontakt të vazhdueshëm me mësimdhënësit e tyre dhe ishin në hap me vijueshmërinë e plan-programit”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, ky vit nuk cilësohet si një vit i dështuar por ishte i realizuar me sukses duke marrë parasysh rrethanat e punës në nivel vendi.

Drejtori Hoxha ka thënë se për vitin shkollor 2020-2021, kanë qenë të vetëdijshëm që nga dita e parë se ishte vit pandemik dhe në këtë mënyrë i ka gjetur të përgatitur.

Sfidat e stafit të shkollës gjatë pandemisë

Mësimdhënësja e sociologjisë në gjimnazin “Zenel Hajdini”, Shpresa Osmani – Sermaxhaj tha se mësimdhënësit gjatë pandemisë kësaj kanë përfituar përvoja që iu hyjnë në punë në profesionin e tyre.

Ajo tha se pandemia nuk ka ndikuar mirë në procesin mësimor por se me angazhimin e mësimdhënësve kanë arritur t’i prekin objektivat e mësimnxënies dhe mësimdhënies.

“Ne jemi munduar ta mbajmë një orë të zakonshme por nuk ka qenë e lehtë në mënyrë virtuale”, ka deklaruar Osmani – Sermaxhaj.

Mësimdhënësja e sociologjisë ka përmendur vështirësitë që i kanë pasur me disa nxënës, të cilët nuk i kanë pasur mundësitë ekonomike për të blerë pajisje elektronike për ndjekjen e mësimit online.

“Gjithashtu disa prej tyre kanë pasur edhe humbje të familjarëve dhe për këto arsye nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin online ose fizikisht”, ka thënë ajo.

Vështirësi nuk kanë pasur vetëm nxënësit dhe mësimdhënësit, por edhe prindërit dhe stafi teknik i shkollës.

Puna e punëtorëve teknik është shumëfishuar gjatë pandemisë për shkak të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për mbrojtje nga COVID-19.

“Gjatë pandemisë u neglizhua konteksti socio-ekonomik i familjeve tona”

Njohësi i arsimit dhe njëkohësisht dhe drejtor i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë se mësimi në distancë i organizuar nga MASHT-i, paraqet një reagim të organizuar spontan si kundërpërgjigje ndaj një situatë të pazakontë.

“Nuk vlerësoj që me kapacitetet aktuale brenda sistemit tonë arsimor do të mund të bënim më mirë, pra kufizimet e shfaqura gjatë mësimit online janë produkt i sistemit e jo mangësi e procesit”, ka shtuar Qehaja.

Më tej ai ka thënë se shumë të meta të arsimit parauniversitar u vunë në pah gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë pandemisë u neglizhua konteksti socio-ekonomik i familjeve tona po ashtu dhe pamundësia që të gjithë të kenë qasje në mësimin online”, ka theksuar Qehaja.

Ai vlerëson që tendenca për të mbuluar të gjithë plan-programin mësimor gjatë kësaj periudhe ka mbingarkuar nxënësit.

“Gjatë kësaj periudhe u krijua bindja sikur qëllimi i mësimit online ishte imitimi vetëm, pa u siguruar në përfshirje dhe interaktivitet të nxënësve”, ka thënë Qehaja.

Ndër të tjera, Qehaja theksoi se të mësuarit online kërkon investim në metodologji, vetëdijesim dhe kohë. Ai tha se shpreson që pandemia t’ua ketë rikujtuar institucioneve rëndësinë e investimeve në të mësuarit digjital, si mjet ideal për të rritur llogaridhënien dhe ringjalljen e cilësisë në arsim.

Autorja Isra Bunjaku është nxënëse e klasës XI/1 në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.