Foto: Bleona Kadriu/Facebook

Kontributi i Bleona Kadriut në suksesin e klubit të volejbollit të Skenderajt

E re në moshë por jo edhe në karrierë, 23 vjeçarja Bleona Kadriu ka filluar të merret me volejboll, që kur ka qenë 13 vjeçare.

Tashmë 10 vjet pas, volejbollistja 1.82 metra e gjatë ka radhitur medaljet e fituara nëpër gara të ndryshme. Me klubin e volejbollit “Skenderaj”, ajo është një herë fituese e medaljes së artë, dy herë e argjendtë dhe dy herë e bronztë në Kupën e Kosovës; tri herë është stolisur me medaljen e argjendë dhe dy herë me atë të bronztë në Superligën e Kosovës. Ajo po ashtu, tri herë ka arritur të shpallet nënkampione e Superkupës së Kosovës, duke rrëmbyer medaljen e argjendtë. 

Foto: Bleona Kadriu/Facebook

Talenti për volejboll nuk është i rastësishëm te Bleona. Djali i xhaxhait të saj, i cili ka qenë trajner volejbolli, e ka shtyrë atë që të fillonte të stërvitej në volejboll.

“Vazhdimisht më thoshte që duhet të merrem me këtë sport dhe kështu filloi e gjithë ecuria ime në këtë sport dhe tani më është bërë pjesë e pandashme e jetës sime dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë”, ka thënë ajo.

Lojtarja e klubit të volejbollit “Skenderaj”, ka thënë se sporti e ka shtyrë që të bëj një jetë të shëndetshme.

“Për këtë arsye ju kisha bo thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që të merren sa më shumë me sporte të ndryshme sepse sporti është vlerë”, ka deklaruar ajo.  

Bleona ka treguar se më herët e kanë pasur të vështirë me ekipin sa i përket stërvitjeve por tani këtë nevojë ua ka plotësuar palestra e shkollës “Anton Qeta” në Skenderaj.

Volejbollistja 23-vjeçare ka thënë se nëse në të ardhmen e largët i duhet të heq dorë nga loja aktive e volejbollit, ajo dëshiron të ushtrojë profesionin e trajneres për grupmoshat e reja.

Përveç si lojtare e KV “Skenderaj”, asaj i është bërë ftesë për të qenë pjesë edhe e kombëtares së Kosovës në volejboll.

Autorja Natyra Gllabari është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.