Klubi letrar me mision kthimin e pasionit për lexim në Ferizaj

Larg nga kafiteritë dhe rutina e zakonshme në Ferizaj është duke u kultivuar kultura e komentimit dhe diskutimit të veprave letrare.

Dhjetëra qytetarë mblidhen të paktën një herë në muaj për të diskutuar të rejat e letërsisë vendore e botërore. 

E veçanta e Ferizajt është se në klubin letrar të qytetit me diskutime kontribuojnë edhe të rinjtë e shkollave të mesme por edhe lexuesit e moshave më të vjetra

Klubi që mbanë emrin e rilindasit Jeronim De Rada është themeluar në vitin 1970 ndërsa aktivitetet e tij përkrahen nga Komuna e Ferizajt.

Për të përkrahur punën e klubit antarët kryejnë edhe shumë punë vullnetare në aktivitetet letrare të cilat gjenerojnë të hyra dhe kanë  kanë zgjuar interesim të madh.

Ndër aktivitetet e zakonshme të klubit  janë orët letrare e gara të poezisë ndër aktivitetet tjera që i mbajnë në Qendrën e Kulturës ose Bibliotekën e Qytetit.

“Për adhuruesit e letërsisë, sigurisht nuk mund të imagjinohet një atmosferë më e këndshme dhe më motivuese. Është impresionuese t’i shohësh në një tryezë 17 apo18 vjeçarët me 40 e 50 vjeçarët që i bashkon pasioni për librin, aty shemben kufijtë mes moshave, botëkuptimeve dhe siç ndodh edhe në letërsi, nganjëherë shemben edhe kufijtë mes reales dhe imagjinares.”, thotë Zyrafete Shala, Drejtoreshë e Klubit Letrar.

Sipas Shalës, në Klubin Letrar “De Rada” zhvillohen shumë aktivitete brenda vitit, disa prej të cilave tanimë janë tradicionale si: Konkursi i poezisë “Ora e Astritit” dhe Kolonia letrare “Muzat e Jezercit” për të cilat këtë vit do të organizohet edicioni i katërt me radhë. 

Zyrafete Shala, Drejtoreshë e Klubit Letrar “De Rada”

“Këto aktivitete mbledhin krijues nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët përveç prezantimit të shkrimeve të tyre kanë rastin edhe të njihen dhe të zhvillojnë diskutime në tryezat që organizohen. Gjithashtu, Klubi letrar “De Rada” organizon Odën e librit, ku përzgjidhet një libër në fillim të muajit dhe pasi ta kenë lexuar të interesuarit, caktohet një takim për të diskutuar rreth tij”, shton ajo.

Aktivitete të tjera janë edhe shënimi i Ditës së Poezisë, Ditës së Librit, promovimet e librave, mbrëmjet letrare me krijues, panairi i librit, garat e recitatorëve për nxënës etj.

Organizimi “Muzat e Jezercit”

Sipas Drejtoreshës, gjatë vitit 2019 janë organizuar mbi 20 aktivitete prej të cilave vetëm 1/4 janë financuar nga Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit dhe Drejtorisë Komunale të Kulturës, të gjitha tjerat kanë qenë vullnetare.

Rritjen e kulturës në lexim po e sheh si të rëndësishme edhe Yllora Mehmeti, nxënëse  e klasës së 11-të në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.

 “Unë mendoj që është më e përshtatshme të lexosh libra sepse mund ta shohësh artin në një kënd tjetër ,e rritë imagjinatën dhe inteligjencën,zhvillon oratorinë, i sheh gjërat më ndryshe, zhvillon mendim kritik… e të gjitha këto nuk mund t’i mësosh në rrjete sociale”, tha ajo.

Drejtoresha e Klubit tregon edhe preferencat e të rinjve në letërsi që po i vërejnë në takimet që i mbajnë.

“Marrë në përgjithësi të rinjtë po i preferojnë librat motivues dhe letërsinë fantastike-shkencore, mirëpo të rinjve që janë pjesë e klubit ne po bëjmë përpjekje që t’u ofrojmë letërsi të përzgjedhur, nga kryeveprat e letërsisë kombëtare dhe ato botërore,sepse përveç afirmimit të vlerave letrare të bashkëvendësve tanë, mision i klubit Letrar “De Rada” është edhe kultivimi i shijes së lartë estetike te lexuesit, me theks të veçantë te të rinjtë”, tha ajo.

Ajo megjithatë vazhdon të jetë e shqetësuar me mungesën e objektit për këtë klub dhe vështirësive financiare.

“Ka një vit që ne jemi pa sallë për takime dhe pa një zyrë ku të arkivojmë dokumentacionin, botimet dhe ku do të mbanim takimet. Mos të flasim pastaj edhe për sfidat nga mungesa e mjeteve financiare të cilat reflektohen edhe në cilësinë e aktiviteteve”, deklaron Shala. 

Megjithatë, përkundër funksionimit me tërë këto barriera ajo thotë se vazhdimisht marrin vlerësime pozitive nga pjesëmarrësit. 

“Mjafton që pas takimeve të Odës së librit nxënësit na thonë se po ndihen të relaksuar dhe shumë të motivuar. A mund të ketë vlerësim më të mirë?” përfundon ajo.

Kriza e lexuesve dhe ndikimi i internetit

Interneti dhe vorbulla e rrjeteve sociale po konsiderohen disa nga arsyet për humbjen e interesimit të të rinjëve nga leximi i librave fizik dhe jo vetëm.

“Në mjedisin tonë mungesa e interesimit për lexim nuk është dukuri që vërehet vetëm te të rinjtë, por te të gjitha moshat. Mirëpo,e paraqitur te moshat e reja, kjo dukuri është më shqetësuese sepse paraqet “vlerat” që i kemi kultivuar për vite me radhë ne si shoqëri”, thotë Drejtoresha e Klubit.

Ajo megjithatë thekson se “para se t’i qortojmë të rinjtë pse nuk lexojnë, secili prind dhe mësimdhënës duhet të vlerësojë objektivisht kontributin që ka dhënë në motivimin e të rinjve për ta dashur librin”

“Edhe pse nuk kemi shënuar asnjë hap tutje në nivelin e të lexuarit, së fundi te ne vërehet një interesim i jashtëzakonshëm për të shkruar, për të botuar libra, pavarësisht se çfarë vlera kanë ato. Për fat të keq këtë shprehi e kemi bartur edhe te të rinjtë, prandaj duhet të përpiqemi të ndryshojmë këtë gjendje, sepse nuk ka çfarë t’u thotë të tjerëve ai që nuk lexon”, përfundon ajo.

Të dhënat e Bibliotekës së qytetit të Ferizajit, në ndërkohë tregojnë se atë e frekuentojnë rreth 4000 lexues në vit.

Biblioteka e Qytetit në Ferizaj

“Sallën e leximit e frekuentojnë më së shumti studentët dhe nxënësit. Në ditë lexojnë në sallat e leximit 200 lexues. Romanet bestseller, dhe librat psikologjikë janë më të preferuarit nga të rinjtë”, tha Drejtoresha e biblotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, Teuta Demiri.

Të rinjtë entuziastë të leximit që frekuentojnë klubin letrar dhe bibliotekën e qytetit për KALLXORinia folën lidhur me rëndësinë e leximit për ta.

“ Njerëzit e arsimuar bëjnë një komb të arsimuar, si dhe arsimi na lejon të hapim mendjen për të përmirësuar veten, mjedisin tonë, botën tonë dhe të bëjmë zgjedhje të edukuara për të ardhmen tonë. Nëpërmjet leximit, studentët kanë më shumë mundësi për të përmirësuar aftësitë e tyre, dhe gjithashtu të fitojnë më shumë njohuri në fushën e tyre profesionale”, thotë Elsa Aliu,nxënëse e klasës së 10-të në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, në Ferizaj

Ndërsa rrjetet sociale po shihen si një zëvendësues i keq i një biblioteke të pasur, sipas Eriona Ramadanit, nxënëse e klasës 12 në gjimnazin “Shaban Hashani”, në Ferizaj.

“Rrjetet sociale nuk po përdoren për qëllime të mira nga të rinjtë,por përkundrazi po keqpërdoren nga ata.Nëse të rinjtë duan që ta pasurojnë mendjen e tyre,duhet të shpenzojnë kohë më shumë duke lexuar libra e jo duke i përdorur rrjetet sociale.Sepse nga librat mund të marrim njohuri të reja,e jo nga rrjetet sociale”, tha ajo.

Ndërsa Drejtoresha e Bibliotekës u bëri thirrje nxënësve dhe të tjerëve për të rritur shprehinë e të lexuarit.

“Të lexohet dhe të vizitohet biblioteka sa më shumë, sepse një libër që merret në bibliotekë dhe lexohet ka një kënaqësi të veçantë.Koha e humbur nuk kthehet më, dhe leximi I një libri kurrë nuk është kohë e humbur”, përfundon Drejtoresha.

                 

Autorja Rinesa Dërguti është nxënëse e klasës XII/3 nga gjimnazi “Shaban Hashani”, në Ferizaj. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit