Ilustrim

“Kërkoni ndihmë, nuk është turp”, këshilla e psikologes për të rinjtë

“Kërkoni ndihmë, nuk është turp, përkundrazi në momentin që keni kërkuar ndihmë jeni më të fortë”, ka këshilluar psikologia Ibelinda Halili nga Qendra e trajtimit të shëndetit mendor – Studio Halili & Co Private Practice.

Ajo ka treguar se në Kosovë nuk janë realizuar hulumtime dhe nuk dihet numri i saktë i të rinjve që kërkojnë ndihmën e psikologëve. Por Halili ka thënë se numri është rritur ndjeshëm në 2-3 vitet e fundit.

Zakonisht problemet për të cilat të rinjtë kërkojnë ndihmë nga psikologu janë problemet në sjellje, vështirësi në aspektin emocional, dilema të tjera në procesin e rritjes apo edhe problemet në familje e shoqëri. 

Psikologia Halili ka treguar se trajtimi duhet të jetë multisidiplinar, me këshillim psikoterapi individuale dhe psikoterapi familjare. 

“Nuk ka ndonjë mënyrë të përgjithshme se si me iu qasë dmth duhet me ju qasë individualisht”, ka treguar ajo.

Shenjat e depresionit nuk janë të njëjta për të gjithë, e sidomos te të rinjtë, ka deklaruar psikologia Halili. Madje ajo ka thënë se pa intervistë klinike me personat, nuk mund të vërehet nëse ata vuajnë nga depresioni, për shkak se ka njerëz që nuk shfaqin fare simptoma.

“Nganjëherë shenjat e njohura të depresionit, që janë shmangia nga shoqëri, ndryshimi i cikleve të gjumit, pa mundësi për të ngrënë ose ngrenie e tepërt, pa disponim, pa dëshirë, pa inciativë, nuk janë te personat e tjerë. Pa një intervistë klinike të detajuar nuk mund të vlerësohet saktë, njerzit mund të vuajnë depresion por jo gjithmonë i shfaqin simptomat”, ka deklaruar jo.

Madje ajo ka rrëfyer se nuk punon në mënyrë shabllon pasi njerëzit janë të ndryshëm dhe mënyrat e qasjes ndaj tyre duhet të jenë të ndryshme.  

Sa i përket rolit të psikologut, ajo ka thënë se të rinjtë por edhe prindërit nuk janë të vetëdijshëm dhe se kanë shumë paragjykime.

Prania e një psikologu apo edhe më shumë në shkolla, është vlerësuar e një rëndësie të madhe nga psikologia Ibelinda Halili.

Ajo ka rekomanduar edhe përfshirje më të madhe të mësuesve dhe prindërve.

“Mësuesit dhe prindërit të jenë më të përfshirë në jetën e nxënësve respektivisht të fëmijëve të tyre, jo vetëm spektatorë”, ka shtuar ajo.

Autorja Zana Islami është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.