Jeta në internet – simptomat, varësia dhe pasojat tek fëmijët dhe të rinjtë

Nuk ka asnjë dyshim se interneti sot ka depërtuar në çdo vend të botës. Është bërë gjithsesi një prej gjërave më të rëndësishme të kohës së sotme dhe një prej shpikjeve më të mira të njerëzimit. Mirëpo, si çdo gjë tjetër, duhet patur një kufi dhe një mesatare, dhe duhet të dijmë se ç’është e mirë për ne, çka nuk është dhe në çfarë sasish.

Ekspozimi i tepërt ndaj internetit çon shumicën e njerëzve në varësi të madhe. Qofshin lojëra, rrjete sociale apo ndonjë kërkim këtu e një atje, gjitha këto mund të çojnë në varësi, posaçërisht adoleshentët, por gjithnjë e më shumë edhe fëmijët, siç pohojnë profesionistët.

Kjo është periudha kur fëmijët mësojnë më së shumti dhe kur atyre u ndërtohet vetëbesimi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mjafton që përgjigja të jetë pozitive në pesë prej tetë pyetjeve në vijim që dikush të mund të diagnostikohet si i varur nga interneti:

Preokupohet me internet, çon kohë të shumtë në internet, bën përpjekje të pasuksesshme për të ulur konsumimin e internetit, shqetësohet në momentet kur nuk ka qasje në internet, çon më shumë kohë në internet se sa në kryerje të ndonjë pune, rrezikon raportet me njerëzit e afërt, gënjen njerëzit e afërt lidhur me shfrytëzimin e internetit, shfrytëzon internetin si mjet për të ikur nga problemet.

Njerëz të shumtë nxjerrin fotografi, incizime dhe materiale tjera të cilat të japin ndjenjën se ata janë të përkryer dhe se jeta e tyre është e përkryer. Këto janë disa standarde të rrejshme të cilat mund t’ua luhasin të rinjve vetëbesimin dhe t’u krijojnë atyre moskënaqje me jetën e tyre, u japi një lloj kallëpi në të cilin përpiqen të përshtaten të gjithë. Standardet e shumta të bukurisë dhe të rregullimit të fotove me fotoshop japin ndjenjën se nëse jemi ndryshe nga ta jemi më të pavlerë.

Është krejt në rregull të kesh puçrra, plagë, strija, dhëmbë që nuk nuk janë të bardhë si kristali dhe të vërtetë, të kesh peshë e cila nuk është sipas përmasave që ata i duan. Ekzistojnë faqe të ndryshme nëpër rrjetet sociale të cilat u japin ndjenjë sigurie dhe përmbushjeje personave që nuk ndjehen mirë në trupin e vet. Interneti është gjithsesi vend interesant nëse përdoret në mënyrë të mirë, dhe kjo vlen posaçërisht për fëmijët.

Gjersa interneti po depërton gjithandej, dhe gjersa gjithnjë e më shumë fëmijë po kyçen në botën e internetit, rriten rreziqet nga ekspozimi i tyre potencial ndaj lloj-lloj materialesh të papërshtatshme (seksuale, pornografike, të dhunshme), manipulimesh, keqpërdorimesh dhe shfrytëzimesh. Kur është fjala për fëmijët, posaçërisht ata të shkollës fillore e të mesme (8 deri 17 vjeç), roli i prindit për sa i përket përdorimit “të sigurtë” të internetit dhe materialeve të internetit është vendimtar, kështu thuhet në studimin e bërë nga UNICEF në vitin 2016.

Interneti gjithsesi mund të jetë edhe i dobishëm. Sot çfarëdo informate është e qasshme me një klikim dhe kjo dukshëm lehtëson punët. Po ashtu ka edhe materiale të ndryshme interesante edukative të cilat fëmijëve mund t’u paraqesin vlera të mirëfillta dhe t’i mësojnë atyre gjëra të mira dhe njerëzillëk.

Autorja Miljana Zlaticanin është nxënëse e gjimnazit të Gorazhdecit.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.