Ilustrim

Interesimi i vogël i të rinjve për sportin e hendbollit në Drenas

Hendbolli nuk është një sport i famshëm si futbolli. Në Komunën e Drenasit, nuk ka shumë të rinj të interesuar për të qenë pjesë e sportit ekipor që e ka zanafillën që nga viti 1920.

Klubi i parë i hendbollit në Drenas është krijuar në vitin 1962, me emrin “Drenica”. Ekipi i vajza për këtë sport nuk ekziston, por vetëm ai i djemve. 

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Drenasit, Laureta Thaqi, ka thënë se nuk ka interesim të theksuar për këtë sport, sepse është më pak i popullarizuar. 

Ajo thotë se mungon një punë më e përkushtuar në shkollat e Komunës gjegjësisht nga mësimdhënësit e lëndës së edukatës fizike.

Sipas drejtoreshës, ata zhvillojnë gara një herë në vit në nivel komunal për shkolla fillore dhe të mesme që mbahen sipas kalendarit të garave të Federatës së Sportit Shkollor, ndërsa klubi sipas garave të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

“Komuna e Drenasit – DKRS e mbështet këtë sport në nivel të shkollave dhe klubeve, me infrastrukturë: ekziston objekti Palestra e Sportit si dhe një numër i sallave dhe poligoneve të edukatës fizike në shkolla, dhe komuna e subvencionon me projekt klubin”, tregon ajo. 

Hendbolli është sport ekipor i cili luhet në mes dy skuadrave të përbëra nga 7 lojtarë, duke lëvizur topin nga njëri lojtar te tjetri, duke tentuar që të shënojnë në portën e ekipit kundërshtar. Hendbolli është sport i ngjashëm me futbollin, por këtu në vend të këmbëve përdoren duart për të lëvizur topin. 

Autorja Erona Ramaj është nxënëse në gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.