Ilustrim

Gorazhdec: Gjithnjë e më pak nxënës në bankat e shkollës së mesme

Ka gjithnjë e më shumë maturantë që vendosin të largohen nga vendlindja dhe ta vazhdojnë shkollimin në qytete më të mëdha. Ky është shkaku i drejtpërdrejtë i rënies së numrit të nxënësve në shkollën e mesme në Gorazhdec.

Nuk ka gjë më të bukur se një ditë pranvere në Gorazhdec. I ndriçuar nga rrezet e arta të diellit, i zhytur në fushat dhe livadhet përreth Lumbardhit të Pejës, i përqafuar nga Bjeshkët e Nemuna, Gorazhdeci duket shumë më i bukur se shumë fshatra në luginën e Alpeve Zvicerane.

Më pëlqen kjo skenë çdo ditë kur shkoj në shkollë.  Nuk ka asnjë njeri të cilit ky imazh nuk i jep energji dhe forcë pozitive për të qëndruar, për t’i shijuar këto bukuri natyrore.  Nga ana tjetër, Gorazhdeci sot duket shumë më bukur se më parë.  Asfalti ka arritur në çdo rrugicë dhe shoqërohet me ndriçim rrugor modern, ndërtime…

Jemi pranë fundit të një viti tjetër shkollor. Po i afrohemi një pasigurie tjetër, sepse shumë maturantë do të kenë dilema nëse do ta vazhdojnë shkollimin në vendlindje.

Vite më parë, shumë maturantë nuk donin të vazhdonin shkollimin në Gorazhdec pas mbarimit të shkollës fillore. Kjo do të ishte disi e kuptueshme sikur të regjistroheshin në shkolla të mesme profesionale.  Të braktisësh një bukuri të tillë dhe ta zëvendësosh një gjimnaz me një tjetër në Mitrovicë të Veriut, për shembull, nuk ka absolutisht asnjë kuptim.

Shpesh e mendoj këtë kur shkoj në shkollë dhe shijoj skenën surreale.  Jam krenare që vijoj gjimnazin “Sveti Sava” në Gorazhdec.  Ajo shkollë ka nxjerrë shumë breza të suksesshëm. Shumë prej tyre sot janë njerëz dhe prindër të suksesshëm.

Për shkak të vendimit për të zëvendësuar një gjimnaz me tjetrin, sot në klasën time jemi vetëm unë dhe një shoqe tjetër e klasës.  Në të gjithë shkollën e mesme janë 13 nxënës.  Kjo ka përparësitë por edhe mangësitë e saj. Ka më shumë mësim dhe më pak socializim dhe ndërveprim në një mjedis kaq të vogël.

Inkurajues është fakti që në shkollën fillore janë ende rreth 80 nxënës.  Mbetet shpresa se ata do t’i vlerësojnë të mirat e vendlindjes së tyre dhe se nuk do ta zëvendësojnë atë me një vend tjetër ku ndodhen të huajt për t’u regjistruar në të njëjtën shkollë.

Autorja Miljana Zlaticanin është nxënëse e gjimnazit “Sveti Sava” në Gorazhdec të Pejës.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.