Gjimnazi i Shkencave Shoqërore "Ahmet Gashi", Foto: Eldin Gashi

Gjimnazi “Ahmet Gashi” në Prishtinë pa pjerrinë për nxënës me nevoja të veçanta

Gjimnazi i Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë nuk ka asnjë nxënës me nevoja të veçanta, fëmijë që e kanë humbur mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes të ekstremiteteve të poshtme.

Drejtori i kësaj shkolle, Haxhi Meta ka thënë se për shkak të kushteve në këtë institucion publik, prindërit detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkolla private.

“Nuk kemi asnjë fëmijë me aftësi të kufizuar, sepse prindërit i dërgojnë në shkolla private, jo të na, sepse na nuk kemi qasje, as nuk kemi pas ndonjë herë”, thotë ai.

Gjimnazi i Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi”, Foto: Eldin Gashi

Drejtori Meta thotë se këto shqetësime i ka ngritur edhe te Drejtoria e Arsimit.

“Kemi problem të madh me infrastrukturë dhe probleme të mëdha me qasje. Në një takim me Drejtorinë e Arsimit kemi kërku që të bëhet një pjerrinë dhe një toalet për fëmijet me nevoja të veçanta”, u shpreh ai.

Edhe Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve me nevoja të veçanta “Hëna”, është ankuar për mungesën e pjerrinave nëpër shkollat e Prishtinës.

“Me aq sa e di unë, shkolla Ismail Qemaili ka qasje vetëm në katin e parë, tjerat shkolla disa e kan veç një pjerrinë para hyrjes së shkolles disa as atë nuk e kanë”, thotë Gashi.

Gjimnazi i Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi”, Foto: Eldin Gashi

Ai madje ka treguar se e ka bërë kërkesën te drejtori i shkollës.

“Po, e kam adresuar edhe drejtori ka premtu që është në plan që vitin tjetër me u ndërtu pjerrina edhe me pasë gjithpërfshirje në shkollë”, ka thënë Gashi.

Grupi avokues i fëmijëve me nevoja të veçanta është krijuar në vitin 2017 nga Handikos, me mbështetje të Save the Children.

Në këtë grup bëjnë pjesë fëmijët me nevoja të veçanta që lobojnë dhe avokojnë për të drejtat e tyre në Kosovë.

Autori Eldin Gashi është nxënës i gjimnazit të shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.