Filma dhe dizajne, shokët e klasës në Prizren kthejnë pasionin në karrierë

Problemet e adoleshencës dhe konstruktet sociale po i përkthejnë në art dy të rinj nga Prizren me pasion filmin dhe dizajnet.

Dëshira e madhe për t’u treguar të tjerëve mënyrën se si e sheh ai botën ishte motivi më i madh për Gentrit Kastratin për të filluar prodhimin e filmave.

18 vjeçari që mëson në gjimnazin “Remzi Ademaj”, në Prizren ka prodhuar një film dokumentar lidhur me bullizmin që e shfaqi në vitin 2019 në festivalin e filmit “Dokufest”.

Filmi që u quajt “Shokët e mi”, sipas Gentritit shfaq anën e errët dhe tabu të shoqërisë, që sipas tij duhet të trajtohet më shpesh në filma.

Gentrit Kastrati, nxënës në shkollën “Remzi Ademaj”, në Prizren

“Titulli është metaforik dhe ironik, për arsye se një djalë ose një person që rrijnë shokët e klases tu e ngacmu, tu e nënçmu, tu e ul poshtë, realisht i bjen që nuk i ka shokë”, thotë ai.ë

Sipas Gentritit, filmi ka treguar se dashuria për veten mund të çojë të rinjtë përtej sfidave të përditshme.

Maturanti nga Prizreni u ndihmua ta vizuelizojë idenë e tij nga vetë festivali “Dokufest” përmes konkursit që u mundësoi talentëve të rinj të prodhojnë filma.

“Fillimisht, Dokufesti e organizon një puntori që quhet “shkolla e filmit dokumentar”, organizohet qe tetë vite edhe kam apliku fillimisht online edhe jam pranu në një trajnim që ka qenë faza e dytë e selektimit, ku prej 15 pjesmarresve vetëm gjashtë janë pranu per mu ba tema”, shpjegoi Gentriti.

Filmi i këtij nxënësi ishte shfaqur festivalin e Dokufest, si dhe në “Slobodna Zona” në Serbi.

Gentrit Kastrati në festivalin “Slobodna Zona”, në Serbi

Sipas tij, filmi është shfaqur edhe nëpër shkolla dhe në trajnime që kanë pasur lidhje me bullizmin.

Ai thotë se tashmë ka filluar punën për skenarin e një filmi të ri jo-dokumentar që pret ta realizojë në vitin 2020.

Lidhur me programin edukativ të Dokufest-it për KALLXO.com ka folur edhe Linda Llulla-Gashi, drejtoreshë e festivalit.

“Në kuadër të këtij departamenti në organizojmë trajnime për mesimdhenes se si të përdorin mjetet audiovizuele dhe filmat dokumentarë në mësimdhënie, formojmë klubet e filmave dhe mediave dixhitale në shkolla ku shfaqim filma dokumentarë me tema të të drejtave të njeriut dhe diskutojmë me nxënësit”, tha ajo.

Sipas Llulla-Gashit, shkolla e filmit organizohet një herë në vjet dhe zgjat për 5 muaj.

Vetëm për këtë vit sipas saj kanë pasu më shumë se 270 aplikime nga nxënësit.

Filmat e realizuar e kanë premierën në Festivalin Dokufest dhe pastaj udhëtojnë në festivalet e rajonit dhe botës.

Maturanti kthen në karrierë talentin për dizajn dhe reklama

Ishte në klasë të gjashtë kur për herë të parë filloi të mendojë për artin në kompjuter.

Edis Mamusha, po ashtu maturant në gjimnazin “Remzi Ademaj” dhe shok klase me Gentritin, ishte autodidakt për dizajn grafik.

Edis Mamusha, nxënës në gjimnazin “Remzi Ademaj”, në Prizren

Ai thotë se punimet e para që i bënte ishin perpunimi dhe manipulimi i fotografive, punë të cilën e mësoi duke shikuar video në “Youtube”.

‘Idetë, frymëzohem varet nga rasti, p.sh frymëzohem gjatë një bisede, gjatë rrugës, gjatë ndonjë muzike, kështu”, thotë Edisi.

Atë që filloi si aktivitet për ta kaluar kohën, tani ka filluar t’i shndërrohet në karrierë nxënësit prizrenas.

Ai ka bërë për vete klientë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, për të cilët bën dizajne dhe reklama.

Më poshtë gjeni disa nga dizajnet e krijuara nga Edisi.

Sipas tij, në Kosovë fushës së marketingut dhe dizajnit nuk i kushtohet rëndësia që realisht e ka.

“Dizajni grafik, mendoj që ka rol shumë të rëndësishëm, përshkak se të ndihmon në shitjen e një produkti, reklamimin, ilustrimin…[Reklamat] shumë, shumë kanë rëndësi mirëpo nuk ua japim atë përkushtimin e duhur”, tha Edisi.

“Mendoj që nëse nuk ka reklama s’kish me qenë as produkti”, shton ai.

Megjithëse puna me klientë, sipas Edisit i ka siguruar të ardhura të mira financiare ai synon të vazhdojë studimet në këtë fushë.

Ai madje pret që në të ardhmen të ketë biznesin personal të kësaj fushe.

Komuna e Prizrenit  ka 16 shkolla të mesme dhe paralele ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit në vitin shkollor 2018/2019, Prizreni numëroi  30,673  nxënës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas Agjencisë së Statistikave, nga popullsia në moshë pune, 59.1 % nuk janë ekonomikisht aktivë.

Ndëra nga 40.9 %  e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 29.6 % persona janë të papunë.

 

Autorja Mirlinda Zyberi është nxënëse e klasës XII/8 nga gjimnazi “Remzi Ademaj”, në Prizren. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.