Fëmijët ferizajas krijojnë revistë me aktivitetet e tyre nga shtëpia

Në këto ditë pandemie kur të gjithë janë mbyllur nëpër shtëpi, dhe po kërkojnë ndonjë angazhim për ta kaluar kohën më mirë, disa të rinj në Ferizaj kanë gjetur një zgjidhje.

Ata kanë bërë një kampanjë “Super-Vullnetarët #nëshpi por #aktiv”, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje dhe të tregojnë aktivitetet e tyre me njëri- tjetrin.

Takimet i bëjnë në mënyrë virtuale, ngase tash për shkak të pandemisë është e pamundur të takohen fizikisht.

Sfida e fundit në këtë grup i është dedikuar fëmijëve të klasës shtatë, tetë dhe nëntë nga shkolla të ndryshme në këtë komunë.

Në bashkëpunim me dy mbikëqyrëset Donjetë Hasani dhe Arta Salihu, fëmijët kanë dërguar fotografi, shkrime, e aktivitete të ndryshme, e gjithë ky angazhimë ka sjellë revistën NOVA.

“Në kuadër të kampanjës “Super- vullnetarët #nshpi por #aktiv”, kemi sfida të ndryshme që cdo javë duhet të bëjm me super- vullnetarët dhe t’i ndajmë me të tjerët. Kësaj radhe kemi sfiduar: Krijo një ditar/ revistë me fotografi të inspiruara nga jeta juaj e përditshme gjatë karantinës”, ka treguar Hasani për KALLXO.com

Tutje, ajo tha se për këtë revistë kanë punuar dy javë dhe janë angazhuar  rreth 20 vullnetarë të klubit.

Ky klub funksionon në kuadër të programit të vullnetarëve edukativë TOKA.

KALLXO.com në rubrikën #KALLXOrinia vazhdimisht raporton për sukseset dhe aktivitetet e rinisë në Kosovë.