Eronë Morina në flaut

Eronë Morina, talentja nga Gjilani me ëndrrën për t'u bërë flautiste e famshme

“T’i biesh flautit është si të shkruash një libër”, ka thënë Eddie Cahill. Flauti është instrumenti të cilit nuk iu nda asnjëherë për gati 10 vite, Eronë Morina.

Eronë Morina është nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Ka gati 10 vjet që ajo merret aktivisht me muzikë.

Përveç shkollës fillore, ajo paralelisht vijoi mësimet edhe në Shkollën e Muzikës. Që prej moshës 7-vjeçare, ajo mori pjesë gjithashtu edhe në korin “Zogjtë e Planetit” në Gjilan.

Si 8-vjeçare, ajo bashkë me motrën e saj, Elsa Morina realizuan një këngë së bashku, e cila titullohet “Motrat”.

Për 6 vite, Erona ka qenë nxënëse e Shkollës së Muzikës në Gjilan, në flaut dhe në të njëjtën kohë mori pjesë në korin “Lyra Fest”.

Flautistja nga Gjilani, në njërën nga garat që janë zhvilluar në Prishtinë, është vlerësuar me vendin e tretë. Ajo nuk ka munguar as në koncertet e shkollës ku ka vijuar mësimet, pasi gjithmonë është prezantuar si flautiste.

Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në koncertet e shkollës si flautiste.

Shkollën e Muzikës nuk e vazhdoi më tutje për shkak të mospërkrahjes por ajo vazhdon shkollimin në gjimnazin e shkencave shoqërore “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku merr pjesë nëpër koncertet dhe organizime të ndryshme si flautiste.

Por, ajo është penduar që nuk e ka vazhduar shkollimin për flaut edhe më tutje.

Edhe pse në një drejtim krejt tjetër, ajo asnjëherë nuk e lë anash flautin e saj. Mesatarisht 3 orë ajo ia kushton instrumentit të saj të dashur.

Ëndrra e Eronës është që të bëhet një flautiste shumë e zonja dhe e famshme.

“Tingulli i lehtë i flautit dhe vet instrumenti më motivon”, ka shtuar ajo.

Njëra prej mësueseve të Eronës në Shkollën e Muzikës në Gjilan, Arife Kastrati, ka thënë se ajo është shumë e talentuar dhe çdo vepër që i është dhënë, e ka interpretuar me shumë emocione.

Erona e ka një këshillë për bashkëmoshatarët e saj.

“Ndiqni ëndrrat, kurrë mos i leni sepse më vonë do të pendoheni, koha nuk kthehet pas”, ka përfunduar Erona.

Autorja Erleta Selimi është nxënëse e gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan.