As COVID-19 nuk ua zbeh të rinjve synimin për ikje nga Kosova

Përhapja e COVID-19 që dhe mbyllja e imponuar në Kosovë, ka sjellë luhatje të mëdha në ekonomi, sidomos në tregun e punës gjatë muajit 2020.

Përveç që ka shkaktuar humbje të vendeve të punës, pandemia ka ngadalësuar dhe bllokuar edhe migrimin e kosovarëve të cilët ishin duke pritur vizat dhe kontratat e punës për në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Bruto Produkti Vendor i Kosovës në tremujorin e dytë të vitit 2020 (1.7 miliard euro) ishte 9.3% më e ulët se në vitin 2019 (1.8 miliard euro). Ndërsa BPV-ja reale në tremujorin e tretë të vitit 2020 (1.8 miliard euro) ishte 7.3% më e ulët se në vitin 2019 (2 miliardë euro).

Edona Maliqi për shtatë vjet me radhë e ka ushtruar profesionin e gazetares në Kosovë. Por, së shpejti ajo dhe bashkëshorti i saj do të shkojnë të jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Maliqi ka thënë se jeta më e mirë është ndër arsyet kryesore që ajo dhe bashkëshorti po presin të marrin rrugën për në Gjermani.

“Sigurimi i një jetese të mirë, standardet e larta të jetesës, janë disa nga arsyet që më shtynë mua dhe bashkëshortin tim, i cili me profesion është fizioterapeut, të synojmë Gjermaninë si vend i mundësive”, theksoi ajo.

Mes viteve 2016 dhe 2020, 320,489 aplikacione u dorëzuan te Zyra Federale e Punësimit e Gjermanisë (ZFP), e cila miratoi 259,725, nga të cilat 97,618 aplikantë morën viza për të punuar në Gjermani.

Nga viti 2016 deri në vitin 2018, 65,171 individëve iu dhanë viza pune nga një numër prej 204,308 kontrata pune nga individë nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Gati një e treta e kontratave të punës u paraqiten vetëm nga qytetarët kosovarë, një total prej 67,272, që sipas Institutit GAP, konsiderohet më e larta nga Ballkani Perëndimor. Prej tyre, rreth një të katërtës apo 15,734 iu dhanë viza pune.

Rrugën për Gjermani për një jetë dhe punë më të mirë e ka marrë edhe infermierja Albulena Bllaca.

Ajo ka thënë se në Gjermani e ka pasur shumë më të lehtë punësimin. Standardi i mirë i jetesës, puna, mirëqenia e fëmijëve të saj e bën që mos ta mendojë më kthimin në Kosovë.

“Burrit tim i është ofruar punë e mirë në Gjermani, pastaj kemi bërë bashkim familjar. Këtu jeta është me standarde më të mira e kam pasur të lehtë të punësohem e gjithashtu standardet janë më të mira edhe për fëmijët tanë. Nuk mendoj se do të kthehesha më në Kosovë”, tha ajo.

Përveç mjekëve, infermierëve edhe persona të tjerë të kualifikuar nga profile të ndryshme tashmë janë punësuar dhe integruar në shoqëritë e vendeve të ndryshme të BE-së.

Gjermania, Kroacia, Sllovenia, Austria dhe vende të tjera të BE-së, po mbledhin “trurin” e sektorëve të ndryshme në Kosovë. Mungesa e punëtorëve dhe mosha mesatare e vjetër i ka shtyrë këto vende që të kërkojnë punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shumë mjekë të profileve të ndryshme, infermierë dhe persona të kualifikuar në profesione përkatëse, sot gëzojnë paga dhe kushte pune në shtete evropiane.

Adelina Sinani është një e re e cila ka zgjedhur Austrinë për të realizuar ëndrrën profesionale. Ajo e ka quajtur si shumë të vështirë largimin nga vendlindja dhe familja e saj në Kosovë.

“Austria më dha mundësi shumë të mira pasi përfundova kurse të gjuhës gjermane, gjithashtu edhe kurse në të cilat mund të zgjidhja profesionin tim që e praktikoj edhe sot”, ka deklaruar Sinani.

E reja nga Kosova shumë shpejtë ka arritur të bëhet distributore e autorizuar te dy ndër kompanitë më të mëdha europiane.

Kontratat e punës në vendet e BE-së po mundësohen edhe nga agjenci që veprojnë në Kosovë. Një e tillë e njohur në Prishtinë është edhe “Punësohu.eu”.

Kjo agjenci, që vepron me leje të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, po shërben si urë lidhëse midis kompanive evropiane dhe të interesuarve për kontrata pune në Kosovë.

Agjencia në fjalë vazhdimisht publikon ofertat për kontrata pune në vendet e BE-së.

Drejtori i agjencisë “Punësohu.eu”, Hamëz Bytyqi ka thënë se Europa po kërkon profesionistë sidomos të fushës së mjekësisë.

“Tanimë e dimë se Ligji i ri mbi migrimin hapë rrugë dhe mundësi të reja për profesionistët. Ne si agjenci asnjëherë nuk proklamojmë garanci të punësimit pasi që të drejtën dhe vendimin për punësim e merr vetëm punëdhënësi”, potencoi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për periudhën 2017-2019 vlerësohet se nga Kosova janë larguar 55,678 banorë apo rreth 3.1% të popullsisë së vendit.

Ndërsa për vitet 2020-2021 ende nuk ka statistika se sa është numri i atyre që janë larguar nga Kosova.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, pandemia e ka prekur edhe migrimin e punës përmes Rregullores për Ballkanin Perëndimor.

Në vitin 2020 u pa një rënie prej 46% të aplikacioneve të paraqitura në agjencinë gjermane të punësimit, numër ky që u prek nga një kombinim i presionit në tregun gjerman të punës, kufizimeve të udhëtimit dhe kapaciteteve të kufizuara të procesimit të ambasadave gjermane në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Autorja Eriola Maliqi është nxënëse e gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan.