Joneta Bytyqi, pronare e "Bylko Desings"

22 vjeçarja nga Ferizaj trajnon e punëson të rinjtë në dizajn grafik

Nxënës nga Ferizaj kanë nisur të testojnë aftësitë e tyre në dizajn grafik, një profesion me shumë perspektivë për të rinjtë e qytetit.

Joneta Bytyqi, një 22 vjeçare nga ky qytet, ka nisur një biznes për ofrimin e shërbimeve të dizajnit për kompani jashtë kosovës ndërsa kontaktet e kësaj kompanie po shfrytëzohen për të trajnuar dizajnerë të rinj në Ferizaj.

Dy zyra në dy shtete, katër punëtorë të rregullt dhe katër praktikantë janë personeli që po e mban një vajzë e re nga Ferizaj me pasion dizajnin grafik.

Punën e kishte nisur si e re brenda dhomës së saj duke eksperimentuar me dizajne që do ta çonin drejt suksesit të jashtëzakonshëm.

Joneta Bytyqi, pronare e kompanisë “Bylko Designs”, ka hapur këtë kompani në shkurt të vitit 2019, ndërsa sivjet kompanisë i bëri filiale edhe në Gjermani.

Ajo punëson tre vetë në Gjermani dhe një në Kosovë, ndësa po vazhdon të ofrojë hapësia për praktikantë të rinj.

Praktikantë në “Bylko Desings”

Brenda hapësirës jo shumë të madhe në një zyrë afër Teatrit të Ferizajit janë renditur 5 kompjuterë dhe 2 laptopë.

Kompania e Bytyqit përpos që krijon dizajne për klientë nga e gjithë bota, ka ofruar mundësi edhe trajnimi për nxënës të shkollave të mesme të Ferizajt.

“Për të pasur një biznes ishte një ndër qëllimet e mija si fëmijë, fillimet ishin shumë të vështira sepse dizajni grafik nuk vlerësohej në vendin tonë kështu që duke hulumtuar mësova se ekziston mundësia për të punuar me uebfaqe online’’, shpjegon Joneta.

Sipas Bytyqit, praktikantëve u ofrohet mundësia të kryejnë dizajne online për klientët e “Bylko” dhe nga dizajnet që bëjnë marrin pagesat.

Mundësi punësimi për të rinjtë

Nxënës nga shtatë shkolla të mesme vërshojnë rrugët e qendrës së Ferizajt çdo ditë.

“Bylko Designs” ka hapur dyert për disa prej tyre që kërkojnë të mësojnë diçka që mund t’u shërbejë si karrierë në të ardhmen.

Joneta konsideron se puna me teknologjinë dhe dizajni grafik janë profesionet e së ardhmes dhe si të tilla duhet të mësohen herët dhe të jenë pjesë e orientimit në karrierë për nxënësit.

“Qëllimi i kursit është që t’i tregojmë rinisë kosovare të mos dalin jashtë vendit kur mund të perfitojnë të njëjtën pagë duke punuar me klientë të vendeve të jashtme përmes dizajnit grafik”, thotë Bytyqi.

Elma Ibishi nga Ferizaj, nxënëse në shkollën e mesme të mjekësisë, tregoi se si ishte shfaqur interesi për fushën e dizajnit grafik edhepse nuk lidhet me fushën që e mëson.

’’Kursin tek Bylko Designs e kam filluar në muajin shtator. Arsyeja pse kam filluar këtë kurs ishte që të kuptoj se a ishte ky profesioni që dua ta kem. Pas 4 muajve kam arritur të kuptoj që kam talent per drejtimin dizajn grafik’’, thotë Elma.

Elma Ibishi, nxënëse

Pas kursit ajo tha se kishte pervetsuar programin Photoshop dhe Adobe Illustrator.

Elma tanimë ka filluar të punojë në kompaninë e saj virtuale dhe ka ambicie për të hapur dhe kompaninë e saj.

Një vajzë tjetër që ka përfituar nga kursi i kompanisë së Joneta Bytyqit është Arnita Aliu.

Ajo është një 17 vjeçare që vijon mësimet në gjimnazin‘’Kuvendi i Arbërit’’ dhe thotë se kursi e ka ndihmuar të orientohet në karrierë.

“Joneta ka qenë shumë inspiruese e kreative si dhe bisedat me të më kanë motivuar për vazhdimin e studimeve në dizajn grafik”, tha Arnita.

Nxënësit që po mbajnë praktikë në kompaninë “Bylko Designs” vijojnë trajnimin pas mësimit apo ligjëratave në fakultet.

Sipas Erblina Vatës, një tjetër praktikante, Bylko është mundësia e artë që ata të mësojnë njohuritë e trendeve të reja e të punësohen dhe të bëhen ndërrrmarrës në  tregun kosovar por edhe ndërkombëtar permes botës virtuale.

“Ka 1 muaj që bëj praktikë në Bylko dhe më duket sikur jam e lindur për dizajnin grafik. Pëlqej shumë punën me dizajn”, tha ajo.

Komuna e Ferizajt ka 7 shkolla të mesme ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit në vitin shkollor 2018/2019, Ferizaj numëroi  24,166 nxënës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas Agjencisë së Statistikave, nga popullsia në moshë pune, 59.1 % nuk janë ekonomikisht aktivë.

Ndëra nga 40.9 %  e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 29.6 % persona janë të papunë.

Autorja Ermona Leskovci është nxënëse e klasës XII/5 nga gjimnazi “Shaban Hashani”, në Ferizaj. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.