16-vjeçarja nga Skenderaj, Altina Salihu

16-vjeçarja nga Skenderaj që triumfoi në garat ndërkombëtare të gjeografisë dhe drejtësisë

16-vjeçarja nga Skenderaj, Altina Salihu, ka arritur të marrë dy vendet e para në dy gara ndërkombëtare.

Ajo doli e para në garën ndërkombëtare të gjeografisë në mesin e 145 shteteve pjesëmarrëse ndërsa u radhit e dyta në garën e drejtësisë ku pati përfaqësues të 70 shteteve.

Si një adhuruese e gjeografisë, dëshira që të njoh kulturën dhe të vizitojë sa më shumë shtete, ka shtyrë Altina Salihun që të marrë pjesë në garën ndërkombëtare të gjeografisë.

Tashmë nxënëse e gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj, Altina arriti vitin e kaluar që të mposhtë përfaqësuesit e 145 shteteve të botës, duke u radhitur në vend të parë.

Ajo ka thënë se vështirësia e kësaj gare ka qenë organizimi online për shkak të pandemisë.

“Gara nuk ka qenë edhe e vogël sepse garova ne mesin e 145 shteteve, ajo garë është mbajtur online gjë qe e vështirësoi më shumë, por unë ja dola më një rezultat të mirë ku unë kam zënë vendin e parë”, thotë Altina.

Por kjo nuk është e vetmja garë e saj në të cilën ajo ka treguar sukses. Disa muaj pasi u radhit në shkallën më të lartë të podiumit në garën e gjeografisë, 16-vjeçarja Altina Salihu, janar rrëmbeu vendin e dytë në garën e drejtësisë në Poloni.

Jo rastësisht ajo është treguar e suksesshme në këtë garë. Ajo thotë se drejtësia do të jetë profesioni i saj në të ardhmen.

Ëndrra e Altinës është që një ditë të bëhet një juriste dhe të motivojë të gjithë moshatarët e saj që të mos ndalen së luftuari për ëndrrat e tyre.

“Dëshira ime është që në të ardhmen të bëhem juriste. Ky profesion më frymëzon, e ardhmja më pret dhe unë vazhdojë të bëhem gati për barrierat që mund të më presin. Nuk dua të ndalem së qenuri shembull sepse qëllimi im është që të jap kontributin tim në çështjet juridike, dhe të mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve”, përfundoi ajo.

Autorja Loreta Gashi është nxënëse e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.