Kallxo 360: U Kthye nga Holanda për Kultivim të Boronicës

Boronicat e fermerëve kosovarë janë ekspozuar sot në sheshin “Nënë Tereza” në kuadër të ditëve për promovimin e boronicave.

Fermerët të cilit kishin vendosur boronicat në tezgat e tyre të drurit kishin dalë për të shitur boronicat të cilat i kultivonin vet.

Fermeri Besnik Lila nga “Blue Sensation” tregoi për KALLXO.com se si ai ishte kthyer nga Holanda për të hapur firmën e tij në komunën e Pejës.

“Unë jetoj që një kohë të gjatë në Evropë në Holandë dhe atje në kontakt me kultivuesit e boronicës kemi ardhur me idenë se ka mangësi të tregut në momente të caktuar në Evropë dhe kemi parë hapësirë në tregun tonë”, tha ai.

Ai tregoi se në fillim ka hasur në vështirësi mirëpo tha se është i lumtur që produkti i tij do të eksportohet edhe jashtë vendit.

“Ne jemi të parakontraktuar për tregun Evropian kështu që kryesisht produktin tonë do ta eksportojmë, sigurisht që mendoj që mendojmë që njëkohësisht të ndërtojmë edhe në treg vendor”, tha ai.

Me këto produkte u shpreh  kënaqur edhe qytetari Agim Paca i cili tha se i konsumon boronicat për shkak të përfitimeve shëndetësore.

“Pak dallohen nga ato boronicat e malit që jemi mësuar ne më i përdore por në të vërtetë kjo është një lloj alternative e cila në një farë forme edhe për fermerët tanë ofron një mundës të sigurimit të të ardhurave por njëkohësisht edhe popullatës një ushqim që është plot shëndet”, tha ai.

Hapjen e ditëve të promovimit të boronicave e ka bërë ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi së bashku me drejtorin e USAID-it James Hope.

Ministri Krasniqi tha se e tha se presin që me promovimin e boronicës të arrijnë suksesin që kanë arritur me mjedrën.

“Ne besojmë se të njëjtin sukses ndoshta edhe më të madh në të ardhmen mund ta ketë dhe duhet ta ketë edhe boronica e Kosovës krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit por edhe më gjerë ka përparësi edhe në kuptimin e cilësisë së saj”, tha ai

Ai tha se ministria do të vazhdojë të përkrahë fermerët të cilët merren me bujqësi por edhe të rinjtë që duan të fillojnë të merren me bujqësi.

Drejtori i USAID-it James Hope, tha se sektori i bujqësisë ka potencial që të krijojë vende të reja pune dhe të ndihmojë zhvillim ekonomik.

“Boronicat janë të kualitetit shumë të lartë dhe janë të shijshme dhe nuk është një surprizë që prodhimet dhe shitjet po rriten këtu në Kosovë për këtë produkt dhe gjithashtu edhe për eksportim në treg”, tha ai.

Ai tha se meritën kryesore për këtë sukses e kanë fermerët dhe familjet e tyre të cilët po bëjnë një punë të zellshme.

Në kuadër të këtij aktiviteti qytetarët kanë pasur mundësi që të mësojnë edhe për përfitimit që marrin nga konsumimi i boronicave.