Kallxo 360: Skaj më Skaj të Lidhjes së Prizrenit

Një prej ndërtesave shekullore që simbolizon mobilizimin shqiptar vjen e xhiruar nga të gjitha anët nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë.

Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit gjendet në kuadër të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës, në qendër të qytetit.

Ndërtesa është pjesë e një kompleksi historik me veçanti kulturore dhe historike.

Në ndërtesën që tani është e rindërtuar, është mbajtur një nga kongreset më të famshme mbarë shqiptare.

Më 10 qershor të vitit 1878, delegatë nga shumica e trojeve shqiptare u mblodhën në ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit për të gjetur zgjidhje në ndaljen e pushtimeve të trojeve shqiptare.

Kjo ndërtesë hyn në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie  ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit fillimisht ka shërbyer si ders-hane (mësonjëtore) e kompleksit të Gazi Mehmed Pashës. Ndërsa  vitin 1878 e deri në vitin 1881 kjo ndërtesë u shfrytëzua si zyre administrative e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit ishte shkatërruar tërësisht nga ushtria serbe në luftën e vitit 1999

Ajo u rindërtua pas luftës, në qershor të vitit 2000 dhe në vitin 2003 u bë ridizajnimi i oborrit të këtij kompleksi historik.

Tani ky kompleks shërben edhe si muze historik ku janë të ekspozuara veshje tradicionale, buste të figurave të rëndësishme të kohës, e të tjera.

KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore