Ramadan Muja në Gjykatën e Gjilanit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Kallëzim penal ndaj Ramadan Mujës dhe ish-kryetarit të PDK-së në Prizren

Udhëheqësi i Zyrës Ligjore në Komunë e Prizrenit, Arben Krasniqi ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prizrenit ndaj ish-kryetari të PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu në cilësi të ish-drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Prizren, si dhe ndaj ish-kryetarit të Komunës, Ramadan Muja.

Kallëzimi penal i dorëzuar nga Krasniqi ka të bëjë me vepra penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare
Kallëzimi penal ka të bëjë me veprimet e Kryeziut dhe Mujës gjatë kohës sa ushtronin funksionet e lartpërmendura.

Arben Krasniqi pretendon se Ramadan Muja dhe Nijazi Kryeziu në bashkëkryerje nga viti 2014 deri në vitin 2016 kishin nënshkruar kontrata për shërbime të veçanta dhe atë për 12 kandidatë të cilët kishin aplikuar për punësim në pozita të ndryshme pranë Administratës së Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Sipas kallëzimit penal të gjitha këto punësime janë bërë pa i respektuar dhe përmbushur procedurat e rekrutimit të cilat janë të përcaktuara me anë të Ligjit.

Andaj Arben Krasniqi konsideron se të njëjtit kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe veprën penale cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.

Arben Krasniqi për KALLXO.com ka thënë se është i bindur që ka prova të mjaftueshme dhe të besueshme se të njëjtit kanë kryer veprat penale të cekura sikurse në kallëzim penal.

“Janë analizuar dhe konstatuar shkeljet ligjore  për disa kontrata me shkelje flagrante të nënshkruara lidhur me  kontrata për shërbime të veçanta për 15 kandidatët, si dhe njëkohësisht të njëjtit janë favorizuar nga Ramadan Muja dhe Njazi Kryeziu, duke mos përfillur asnjë procedurë ligjore të rekrutimit përmes zyrës së personelit  të paraparë edhe me vendimin e vetë Kryetarit të Komunës”, tha Krasniqi.

Po ashtu, udhëheqësi i Zyrës Ligjore ka thënë se favorizime të tilla me dashje direkte dhe në shkelje të dispozitave ligjore, Njazi Kryeziu ka vepruar jashtë kompetencave të tij si drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit. I njëjti sipas Krasniqit ka kryer veprime të kundërligjshme në momentin e nënshkrimit të kontratave për shërbime të veçanta dhe ka cenuar të drejtën e punësimit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë në telefon Nijazi Kryeziun dhe Ramadan Mujën, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Nijazi Kryeziu në të kaluarën ka qenë kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit. Po ashtu, ai ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor gjatë qeverisjes së dytë të Ramadan Mujës në Prizren.

Nijazi Kryeziu është njëri ndër të akuzuarit në rastin “Pronto”. Në shqyrtimin fillestar të këtij rasti, ai ka thënë se ndihet i pafajshëm.

https://kallxo.com/grabovci-per-pronton-aspak-se-ndjej-veten-fajtor-video/

Bashkë me Nijazi Kryeziun janë të akuzuar edhe shumë zyrtarë të tjerë duke filluar nga Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi, që të gjithë të akuzuar nga ana e  e Prokurorisë Speciale.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, këta persona kanë keqpërdorur pozitat zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete dhe duke u dhënë privilegje dhe përparësi në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

Në aktakuzë trajtohet çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale.

Edhe Ramadan Muja, ish-kryetari i Prizrenit është përballur me një proces të gjatë gjyqësor, pasi akuzohej për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

I njëjti në dhjetor të vitit 2018 është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 12 muajsh.