Konferenca e Kadri Veselit, 19.11.2018

Kadri Veseli: Serbia po pengon Kosovën në INTERPOL me akuza të rreme për terrorizëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se agjenda e Kuvendit te Republikës së Kosovës edhe këtë javë do të jetë e mbushur me projektligje të ERA.

“Ka pas punë të mirë të komisioneve parlamentare përkundër vonesave të deri tanishme. Po përmbushim edhe agjendën e reformave evropiane. Çështja e liberalizimit të vizave është teknike, jo politike. Kosova pret vendimmarrje e cila nuk e turpëron BE dhe ajo është që ta mbajnë fjalën dhe të ketë liberalizim të vizave këtë fund të vitit”, ka deklaruar Veseli.

Ai tha se ditën e enjte do të ketë vazhdim të seancës së kërkuar nga LDK dhe LVV dhe të premten do ta ketë seancë me vazhdimin e pikave të mbetura dhe një seance e re plenare.

Sa i përket anëtarësimit në Interpol Veseli tha se nuk është korrekte Serbia me fushatën kundër Kosovës.

“Serbia mendon që të përfitoj me akuzat e veta se Kosova është çerdhe e terrorizmit. Nuk do të ketë sukses. Besoni Kosovës, ligjeve të Kosovës. Sa për nesër në agjendën e anëtarësimit në INTERPOL nuk dua të flas pa u kryer puna. Jemi shumë optimist, por Serbia po luan rol restriktiv duke tentuar t`i bëjë dëm Kosovës, por nuk do t`ia dal”, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Sa i përket çështjes së pronave të AKP-së që iu janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe Veseli tha se “Ligji do të respektohet në përpikëri. Koalicioni do të vazhdojë aq sa i nevojitet qytetarëve të Kosovës. Ligji do të respektohet në përpikëri. Nëse ka pas gabime atëherë prapë do të merret ligji”, tha ai.