Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit. Foto: Atdhe Mulla

Kadri Veseli: Rekrutimi i Stafit të Lartë ka Pasur Vështirësi e Mungesë Kredibiliteti

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha sot se çështja e rekrutimeve për pozita të larta civile në institucionet e Kosovës ka qenë e përshkuar me probleme e vështirësi gjatë ndër vite.

“Në Kosovë, çështja e rekrutimit ka pasur edhe vështirësitë e veta, mungesë kredibiliteti dhe besueshmërie në procesin e rekrutimit. Duhet të rritet mirëbesimi te kuadrot”, tha Veseli në një konferencë rreth çështjes së rekrutimit të stafit të lartë civil në të cilën morën pjesë diplomatë edhe të huaj.

Ai tha se është i lumtur që memorandumi i nënshkruar gati tri vite më parë me ambasadën britanike nga qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa, është vazhduar edhe në qeverinë pasuese të Ramush Haradinajt.

“Ideja e kësaj asistence ka ardhur nga ne, ne i kemi ftuar partnerët tanë. Gatishmëri për të treguar se sa Kosova është e gatshme për partneritet me ndërkombëtarët”, tha Veseli.

“U bënë më shumë se dy vite. Pas dy viteve rezultatet janë të mira. Nuk kemi pasur ndonjë ankesë që ka pasur shqetësim serioz. Ne mundemi më shumë, edhe përmes këtij partneriteti ne mund ta forcojnë partneritetin dhe llogaridhënien në demokracinë tonë. Jemi të gatshëm për më shumë”, tha ai.

Sipas Veselit, transparenca në procesin e rekrutimeve parandalon gabimet në përzgjedhjen e stafit.

“Njerëzit tanë një kohë të gjatë kanë qenë të privuar nga shancat e barabarta, më herët për shkak të entisë… Në momentin e përfundimit, do ta rishikojmë projektin për vazhdimin e bashkëpunimit. Kemi biseduar me kolegët e BE-së, një plagë ka qenë edhe në procesin e prokurimit, një nga plagët tona, nëse ka dyshim në këtë proces, ta bëjmë bashkë”, tha kryetari i Kuvendit.

Më herët në konferencë foli edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.

http://kallxo.com/rrefimi-ambasadorit-per-zyrtarin-e-larte-qe-nuk-dinte-ta-perdore-emailin/