Kadri Veseli, Glauk Konjufcës: Ndoshta ke qenë në PDK

Kadri Veseli nga PDK-ja dhe Glauk Konjufca i LVV-së, janë përfshirë në polemika në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur akuzave të shefit të GP të LVV-së, Glauk Konjucës, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Konjufcës mund t`i dalin më shumë familjarë në Telekom.

“Është dashur të pritet sepse kishim pas fakte të flasim me emër e mbiemër e mos me u ngut si Glauku se gabon, se bon vaki i dalin më shumë familjarë këtij se mu. Me e pas pushtetin ti, me pas pushtetin  e PDK-së, Vetëvendosja, kushedi çka kish ba. Kanë me dalë të gjitha një për një”, theksoi ai.

Ndërkaq, Konjufca tha se nuk ka asnjë familjarë të punësuar në Telekom.

“Unë nuk kam në Telekomin e Kosovës asnjë familjarë, por z. Veseli ka shumë miq dhe miqtë e tij së bashku me partinë e tij, unë insistoj që e kanë orkestruar gjendjen në Telekom”, tha ai.

Kurse, Veseli në kundër-replikë e thumboi Konjufcën për mundësinë që ai në të kaluarën të ketë qenë pjesë e PDK-së.

“Glauk është e vërtetë për miq, ka shumë edhe me mujt çdo ditë kisha kriju, por familjarë dhe interesa personale kurrë në jetë s’kam pas. E dyta, qy nashta edhe ti je kanë në PDK, s’pe dimë tash, në të kaluarën. Vërtet ke fol të pavërteta, 4 minimum i the. Galuk ma i miri je, djalë i meçëm, por mos ekstremizo debatin”, tha Veseli.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Ndërkaq, muaj më parë, deputeti i PSD-së dhe ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj e kishte akuzuar shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca se për një vit ka qenë në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Kurse, Konjufca e kishte paditur për shpifje Molliqajn.