Kadaj Bujupi: Kemi premtuar se do të rriten pagat edhe në sektorin privat

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se që në ditën kur ka kaluar ligji për paga, rrjedhimisht në ditën kur janë rritur pagat në sektorin publik, kanë premtuar se do të rriten pagat edhe në sektorin privat dhe sipas saj po ndodh kjo.

Kadaj Bujupi shtoi se paga minimale siç është aktualisht, 170 euro për personat mbi 35 vjet dhe 130 euro për personat nën këtë moshë, përveçse është diskriminuese, nuk mbulon as nevojat elementare të një punëtori në vend.

“Hap fillestar sa i përket pagës minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit. Paga minimale, nuk duhet të njihet si e tillë, por si pagesë minimale për orë pune. Pra, kufiri minimal i pagesës të ketë për njësi pagesën e orës së punës”, tha ajo.

Sipas Kadaj Bujupit, organi që ka për detyrë të dalë me propozime konkrete çdo vit në lidhje me pagën minimale, Këshilli Ekonomiko-Social i Kosovës, duhet të rrisë përgjegjësinë dhe të ndryshojë metodologjinë e përcaktimit të pagesës për orë pune.

“Ky organ duhet të dalë së paku dy herë në vit me propozime për pragun e pagesës për orë pune, ndërsa si kritere duhet të merren parasysh çmimet e kostos së jetesës, nevojat e punëtorëve e të familjeve të tyre si dhe niveli i përgjithshëm i zhvillimit ekonomik. Duhet të ndryshohet rregullimi diskriminues që dallon pagesën minimale për orë pune për punëtorët nën 35 vjet”, tha ajo.

Ndërsa ministri Skënder Reçica, tha se në fund të vitit 2018 Këshillit Ekonomik Social i ka mbaruar mandati dhe në bazë të procedurave e kanë shpall kompletimin e anëtarëve të ri të KES.

“Tani kanë përfundu këto procedura dhe nesër bëhet përfundimi i konstituimit dhe qysh nesër do të fillojmë negociatat dhe diskutimet për të fillu rekomandimin e ri për pagën minimale të cilën do t’ia dërgojmë qeverisë”, tha ai.