Ilustrim

A ka Kosova Nevojë për Ligjin e Lustracionit?

Vllasi i cili u plagos të hënën në mëngjes është duke pranuar trajtim mjekësor nga sulmi i së hënës.

Të hënën ai tha për KALLXO.com se nuk e njihte të dyshuarin.

“Unë kurrë nuk e kam njohur këtë person… Nuk e kam as idenë më të vogël për motivin e sulmit”, tha Vllasi.

Ai është i bindur se sulmi kundër tij është “një atentat i përgatitur mirë”.

Sulmi në Vllasin është i dyti brenda një jave në Kosovë. Javën e kaluar regjisori kosovar Fatmir Lama njoftoi se ka marrë kërcënime me vdekje pas shfaqjes në KTV të një dokumentari që merret me krimet e kryera kundër shqiptarëve gjatë regjimit komunist në Jugosllavi.

Analisti kosovar Imer Mushkolaj tha për KALLXO.com se mungesa e një ligji për lustrimin në Kosovë ka lejuar hapësirë për interpretim personal të së kaluarës të çdokujt gjatë regjimit komunist.

“Një ligj eventual i lustracionit do të ndihmojë në pastrimin e të kaluarës së aktiviteteve të atyre që kanë punuar për regjimin komunist. Ligji do të parandalonte njerëzit që të vetëvlersojnë të kaluarën e tyre apo të personave të tjerë”, tha Mushkolaj.

“Kjo mund të na dërgojë në një situatë shumë të rrezikshme nga e cila do të jetë vështirë të largohemi”, shtoi ai.

Por jo të gjithë pajtohen me të.

Kaqusha Jashari, ish-lidere komuniste në vitet ’80 tha për KALLXO.com se është shumë herët për ligjin e lustracionit në Kosovë.

Ajo tha se ka frikë se çdo ligj eventual i lustracionit në të ardhmen e afërme “do të keqpërdorej për qëllime të politikës ditore”.

“Mendoj se kemi nevojë për një distancë më të gjatë kohore që të ketë një vlerësim të vërtetë në punën e politikanëve gjatë komunizmit”, tha Jashari.

Por deri atëherë, duke iu referuar incidentit ndaj ish-kolegut të saj Vllasit, ajo tha se askush nuk ka të drejtë ta marrë ligjin në duart e veta.

“Ekziston shteti i ligjit dhe së drejtës për t’u marrë me këto çështje. Nuk ka zëvendësim për drejtësinë dhe aktet e tilla janë totalisht të papranueshme”, shtoi Jashari.

Për shefin e grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Zenun Pajaziti, sulmi ndaj avokatit Vllasi erdhi si befasi.

Pajaziti i cili ishte një aktivist politik i të rinjve në vitin 1990 e sheh sulmin e të hënës si një hap prapa për Kosovën.

“Në vitet e 90-ta ne kemi arritur të bashkojmë shoqërinë shqiptare të Kosovës, pa marrë parasysh origjinën e tyre qoftë komuniste apo çfarëdo tjetër. Si një anëtar i një familje që ka vuajtur nga komunizmi, unë e shoh këtë sulm si absurd”, tha për KALLXO.com, Zenun Pajaziti, familja e të cilit ka një histori vuajtjesh nga periudha komuniste.

Por ai ngurron të besojë që një ligj i lustracionit do ta zgjidhë problemin në këtë kohë.

“Para se të kemi një ligj, do të dëshiroja që të gjithë të apelojmë që të mos i kthejmë sytë në histori për shkak të sfidave serioze me të cilat po përballet vendi ynë”, shtoi Pajaziti.

Azem Vllasi ishte një nga politikanët më të rëndësishëm në Kosovë në dekadat e kaluara. Si një ish-funksionar i lartë në ish-Jugosllavi, ai u bë kryetar i Partisë Komuniste të Kosovës më 1986, parti e cila ishte në pushtet në atë kohë, para se të rrëzohet nga presioni serb në 1988.

Më vonë ai mbahet i burgosur politik nën regjimin e pushtetarit serb Slobodan Milosheviq- i cili e shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe u lirua më 1990. Në vitet e fundit ai vepron larg angazhimit të drejtpërdrejtë politik, si avokat dhe analist i çështjeve politike.

Murat Jashari, një shqiptar me origjinë nga qyteti i Kumanovës në jugperëndim të Maqedonisë, i cili është i dyshuari kryesor për këtë rast, është arrestuar disa orë pas incidentit.

Ai është vëllai i Ismet Jasharit (Komandant Kumanovës), i cili u vra në gusht të vitit 1998 duke luftuar për çlirimin e Kosovës.

Të martën ai doli para gjykatësit të procedurës paraprake dhe ndaj tij u caktua masa 30 ditëshe e paraburgimit.

Avokati i Jasharit, Emrush Kastrati, tha se klienti i tij theksoi motivin për veprimet e tij.

“Gjatë marrjes në pyetje para policisë, ai (Murat Jashari) ka pranuar akuzën. Ai tha se motivin për vrasjen e mori pas dëmeve që Vllasi u kishte shkaktuar të rinjve të nga viti 1980, dhe nuk ka të bëjë asgjë me punën e tij si avokat”, tha Kastrati.