Vendi ku humbi jetën punëtori 22-vjeçar - Foto: KALLXO.com

Jusuf Azemi: Shteti u shantazhua kur u ndalua Kryeinspektori në vendin ku vdiq 22-vjeçari

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se shteti i Kosovës u shantazhua nga kompania “Lab-Oil” kur kjo e fundit nuk lejoi hyrjen e Kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimi, në vendin ku humbi jetën 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës, Krenar Jemini.

Sipas Azemit, për këtë rast duhet të marrë përgjegjësi kompania por edhe institucionet shtetërore.

“Kompanitë janë të obliguara që institucionin e Inspektoratit ta lejojnë për inspektime 24 orë… Nuk është ndalur Basri Ibrahimi, por Inspektorati i shtetit. Kjo i bie se është shantazhuar institucioni i shtetit. Pronari është dashtë të marrë përgjegjësi. Mendoj që në vende normale po të ndodhte kjo do të merrnin përgjegjësi jo vetëm ministria përkatëse por krejt Qeveria”, tha ai për KALLXO.com.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi për ndalesën që iu bë Kryeinspektorit të Punës para fabrikës së kompanisë ‘Lab-Oil’ në magjistralen Prishtinë- Ferizaj.

Sipas kryetarit të Sindikatës së punëtorëve privatë, vdekjet në vendin e punës tashmë janë shndërruar në diçka normale për vendin tonë.

“Fatkeqësisht rastet e vdekjeve në vendin e punës në Kosovë pothuajse gati janë bërë rutinë. Edhe në këtë rast u pa që kompanitë private dhe institucionet shtetërore nuk janë duke i krijuar e kushtuar kujdes minimal punëtoreve të rinj dhe të papërvojë. Ata nuk duhet të lihen në vende të rrezikshme të punës” deklaroi Azemi.

Në anën tjetër, Sylejman Klinaku, anëtar i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë ka thënë se ndalimi i Kryeinspektorit nga kompania ‘Lab-Oil’ është dëshpërues dhe shqetësues.

“Sa i përket moslejimit të Kryeinspektorit në vendin e ngjarjes është shqetësues, është dëshpërues, është sinjal për shtetin dhe Qeverinë e Kosovës se duhet të merren urgjentisht me zbatimin e legjislacionit në fuqi”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, pamjet e shfaqura nga dita e djeshme janë reflektim i moszbatimit të ligjit për punë në Kosovë.

“Skena kur nuk lejohet Kryeinspektori të futet tek kompania, është mesazh njëkohësisht është reflektim i moszbatimit të legjislacionit dhe është mesazh i keq. Ky rast është shqetësues sepse nuk lejohet një organ i thirrun për atë detyre që të bëjë kontrollin dhe të identifikohen problemet që quan në atë aksident me fatalitet”, ka vlerësuar Klinaku.

Rasti i vdekjes së punëtorit në vendin e tij të punës është i pari për këtë vit, ndërsa vitin e kaluar sipas Inspektoratit të Punës kanë vdekur 22 punëtorë.