Juniku protestoi për të tretën herë në mbrojtje të lumit Erenik

Komuna e Junikut sot ka protestuar në mbrojtje të lumit Erenik nga nxjerrja e kundërligjshme e zhavorrit dhe devijimi i rrjedhës natyrore të lumit.

Në  komunikatë thuhet se KRU-Gjakova jashtëligjshëm po zhvillon punime duke shkaktuar devijimin dhe degradimin e lumit.

“Protesta përcolli mesazhin e qytetarëve dhe Komunës së Junikut që në asnjë rast nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë që shtëpitë e qytetarëve të Rekës e Lugut të mos kenë ujë të pijes një e drejtë njerëzore, natyrore e garantuar me çdo normë kushtetuese e ligjore, të cilën qytetarët e Junikut e kanë dëshmuar me shekuj e dekada në robëri e varfëri”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Komunës ka bërë thirrje në organet kompetente të Kosovës që të shfuqizojnë vendimet e paligjshme të MMPH

“T’i ndalon të gjitha veprimet e paligjshme të Komunës së Gjakovës dhe KRU Gjakova, të veproj ligjshëm me drejtësi dhe në interesin e përgjithshëm. Komuna e Juniku do i shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike që mbrojnë pasuritë kombëtare: si lumin Erenik, natyrën, mjedisin ekologjik dhe biodiversitetin”, vazhdon komunikata.

Komuna e Junikut kishte protestuar për të njëjtën çështje edhe në muajin prill të këtij viti.

Lumi Erenik është duke u degraduar nga kompani të ndryshme, të cilat po nxjerrin zhavorrin.

Si pasojë e marrjes së zhavorrit në këtë pjesë të lumit, mbi 20 hektarë tokë kanë mbetur pa ujitje dhe mbi 30 shtëpi kanë problem me ujë të pijshëm, pasi një pjesë e fshatit Nivokaz furnizohen me bunar.

Me 16 korrik, Kryetari i Komunës së Junikut i ishte drejtuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj një ftesë publike ka kërkuar që të shfuqizojë vendimin për punimet dhe veprimet e paligjshme siç i ka quajtur ai përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e lumit Ereniku i Vogël.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), në një përgjigje për KALLXO.com në muajin maj, kanë bërë të ditur se asnjë kompani nuk janë të licencuara për nxjerrjen e zhavorrit.

Gjatë ditës së djeshme kishte reaguar edhe kompania e cila po akuzohet nga komuna për degradim të lumit.

KRU Gjakova përmes një komunikate për media ka thënë se  kryetari i komunës ka organizuar protestë për mbrojtje të lumit për qëllime vetanake dhe jo për interesa të qytetarëve.

“Duke e ndjerë obligim moral dhe ligjor, KRU Gjakova informon së pari qytetarët e Komunës së Junikut që kjo protestë organizohet vetëm për qëllime vetanake të Kryetarit të Komunës dhe jo për interesat e juaja si qytetarë të kësaj Komune. Ne konsiderojmë që protesta të tilla është dashur të organizohen për të parandaluar: 1. Shtrirjen e gypit me gjatësi 5 kilometra, për fabrikën private, pa pëlqimin e MMPH. 2. Lejimin e ndërtimit të restoranteve pa leje në Parkun Nacional, në të cilat janë ndërtuar Hidrocentrale për të prodhuar energji, për nevoja personale të bizneseve. 3. Ndërtimi i Villave në Bjeshkët e Junikut, me material të vrazhdë duke mos iu përgjigjur kërkesave ligjore, në mesin e tyre edhe villa e Kryetarit të Komunës”, thuhet në komunikatë.

https://kallxo.com/veteranet-e-uck-se-dhe-ojq-te-e-junikut-ne-proteste-per-lumin-erenik/

.