Takimi i zyrtarëve të BE-së me qytetarët | Foto: KALLXO.com

Juncker: Asgjë e Mirë nuk do të Ndodhë Derisa ka Korrupsion e Krim

Kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker dha sot porosi të qartë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Përderisa ka korrupsion dhe krim të organizuar asgjë e mirë nuk do të ndodhë”, tha Juncker në takimin e zyrtarëve të lartë europianë me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Bashkë me Junckerin në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe çpshtje të sigurisë Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim Johannes Hahn.

Edhe Hahn dhe Mogherini dhanë porositë e tyre për kosovarët.

Komisionari për zgjerim Johannes Hahn përsëriti edhe një herë në Prishtinë se në BE nuk mund të hyjë askush që ka probleme me fqinjët.

Hahn gjithashtu përmendi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri në BE që nuk i kanë zgjidhur kontestet territoriale e të tjera, pra është e rëndësishme që mes Serbisë dhe Kosovës të ketë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, tha Hahn.

Edhe Mogherini përmendi marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për të cilën tha se ka vullnet.

“Unë shoh vendosmërinë, vullnetin në të dyja palët për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, t’i lëmë vetëm palët që të vendosin për konsensusin e tyre, jam optimiste për një përfundim të mirë”, tha Mogherini.

Mogherini tregoi arsyen e vizitës në Kosovë të tre zyrtarëve të lartë të institucioneve të BE-së, por bëri të ditur se rruga e Kosovës do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

“Qëllimi që jemi këtu është se kjo pjesë e rajonit është pjesë e Europës. Rrugëtimi është i gjatë dhe i vështirë, kosovarët e rinj e dinë që pritjet që i përshtaten Europës janë të nivelit të lartë”, tha Mogherini.

Mogherini e pranoi se nuk po respektohen sa duhet marrëveshjet e  nënshkruara në dialogun e Brukselit.

“Respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara nuk është i kënaqshëm. Jam e kënaqur që para dy ditësh kemi pasur takimin e dialogut pas një viti dhe ka shkuar mirë, një ditë pune me shumë rezultate”, tha Mogherini.

Para se të takohen me qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile tre zyrtarët e BE-së patën takim me krerët politikë të vendit.

http://kallxo.com/juncker-demarkacioni-hap-kyc-dhe-pashmangshem-per-liberalizimin/