‘Jeta në Kosovë’ për Parkun e Ndotjes

Banorët e Fshatit Korreticë e Ulët të Drenasit treguan për ndotjen e ambientit që po e bën Parku Industrial i Drenasit. Avni Hoxha ka treguar për dëmet që ia ka shkaktuar në bujqësi dhe blegtori uji i ndotur që i kalon skaj oborrit.

E banori tjetër Qazim Dushkolli thotë se ujërat e zeza që rrjedhin nga Parku i Biznesit i kanë kontaminuar bunarët prej nga ata furnizohen me ujë.

Ai rrëfen se si iu helmuan fëmijët nga konsumimi i ujit që ishte kontaminuar nga ujërat e liruara nga Parku i Biznesit.

Problemi i kanalizimit të Parkut të Biznesit daton që nga viti 2010. Që nga ajo kohë e deri më tani janë bërë disa tentativa të pasuksesshme për t’i gjetur një zgjidhje ndotjes që i bëhet ambientit nga 36 bizneset e vendosura në këtë park.

E për masat që është dashur të ndërmerren dhe planifikohet të ndërmerren flasin institucionet e Kosovës.

Flasin ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të cilët janë përgjegjës për ndërtimin e kanalizimit dhe impiantit.

Mustafë Hyseni, nga Inspektorati Ministrisë së Ambientit tregon arsyet pse deri më tash, 6 vjet nga fillimi i punimeve, nuk janë marrë masa për mbrojtje të ambientit. Pjesë e hulumtimit është edhe kompania Mobile Sanitary Services (MSS), ndaj të cilës është iniciuar një padi.