Jeta Xharra: Xhabir Zharku iku e u kthye pa therrë në këmbë

Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, foli për 12 vitet e monitorimit të gjykatave. Ajo tha se në gjithë këto vite ka progres, por ka edhe shumë dëshpërim. Xharra përmendi rastin e Xhabir Zharkut, ish kryetarit të Kaçanikut, i  cili u dënua në Kosovë, por iku nga vendi dhe nuk e mbajti dënimin.

“Qysh nihet ai që e ka gjyku këtë rast, ai prokuror e gjykatës, që e sheh që ai [Zharku] që i ka ikë drejtësisë, tash i kthehet në Kosovë… me na ikë para syve e me u kthy pas ni therrë në kamë”, tha Xharra.

Ajo tha se po mundohet të shohë bardh, e jo vetëm zi, por se ka ende shumë punë për t’u bërë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Xharra më pas ajo foli edhe për rekomandimet e raportit të monitorimit të gjykatave, me theks të vecantë për projektligjet të cilat duhet të kalojnë në kuvend.

Komentet e saj u bënë gjatë konferencës ku u publikua raporti vjetor i BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA i Monitorimit të Gjykatave për vitin 2017.

Ky raport fokus të veçantë do t’i ketë në rastet e korrupsionit, si veprat penale më me interes për shoqërinë të monitoruara gjatë vitit 2017, por gjithashtu do të trajtojë probleme të tjera të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti vë në dukje shkelje procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore, të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.